Fjalë Kyçe

Projekti i Ministrisë së Ambientit i hap rrugën Asociacionit të komunave serbe

Projekti i Ministrisë së Ambientit i hap rrugën Asociacionit të komunave serbe

Ka kohë që çështja e asociacionit të komunave serbe dhe lëvizja e kufijve administrativ është heshtur. Por, një rrezik i tillë ende ekziston.

Të paktën kështu ka paralajmëruar drejtori i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Sipas tij, projekti i nisur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do të rezultojë me organizimin e komunave në baza etnike.

Bëhet fjalë për studimin e fizibilitetit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë, në të cilin ka refuzuar të marrë pjesë AKK-ja, raporton KTV.

Por, ndryshe thonë zyrtarë të MAPL-së. Sipas Shkëlqim Jakupit, drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ky projekt do të merret me analizimin e sfidave dhe nevojave të të gjitha komunave në Kosovë.

Jakupi thotë se një studim i tillë nuk ka lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Megjithëkëtë, në vendimet e siguruara nga Kohavisioni, për themelimin e katër grupeve punuese, nuk përjashtohet një gjë e tillë. Në njërin prej tyre, ndër çështjet që do të shqyrtohen, janë edhe organizimi i kufijve administrativ dhe e drejta për formimin e asociacioneve. Pjesë e këtyre grupeve punuese do të jenë edhe përfaqësues të komunave. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se nuk është i njoftuar nëse do të diskutohet çështja e kufijve.

Mbështetës i këtij studimi është Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS). Enisa Kasemi nga kjo organizatë, në një përgjigje me shkrim për KTV-në, thotë se projektin e MAPL-së do ta mbështesin në aspektin teknik.

“Në bazë të informatave tona, ky studim do të jetë diagnostikues dhe ka për qëllim të paraqesë një pasqyrë të gjendjes aktuale të vetëqeverisjes lokale (Korniza ligjore dhe funksionimi). Rezultatet e studimit do të duhej të paraqesin një vlerësim të gjendjes aktuale, sa i përket funksionimit të komunave në Kosovë”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjeje e Kasemit.

Marrëveshja për Asociacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, muaj më vonë, pati vlerësuar se disa nga parimet e marrëveshjes për asociacionin nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.