Fjalë Kyçe

Prokurori që kishte liruar Sokol Halilin: Nëse ka pasur lëshime, jap përgjegjësi

Prokurori që kishte liruar Sokol Halilin: Nëse ka pasur lëshime, jap përgjegjësi

Prokurori që kishte liruar Sokol Halilin, burrin që vrau ish-gruan e tij në oborrin e QKUK-së, ka folur sot për rastin.
Ai ka thënë se nuk e di ende se si është zhvilluar procedura në hetuesi e kësaj tragjedie, shkruan lajmi.net.

“Dëgjo. Unë sot tërë ditën kam qenë në intervistim në rastin “Brezovica”. Për besë as që e di se si ka ndodhur rasti dhe në çfarë rrethanash zhvilluar kjo procedurë”, ka thënë ai në Rtv Dukagjini.

Duke folur për faktin se ishte ai që e kishte liruar në procedurë të rregullt Halilin, shtoi se të rralla janë rastet kur një rast për armë gjuetie e armë me gas shkon në ndalim.

“Na nuk muj dijmë çka ndodhë dhe çdo rast vlerësohet nga rrethanat konkrete, dhe thuajse asnjë rast nuk shkon në ndalim për një armë të gjuetisë dhe armë me gas. Nuk e di se si ka ndodhë pa i pa deklaratat e të pandehurit dhe palës së dëmtuar”, shtoi ai.

Ai shtoi se është në gjendje t’i bartë përgjegjësitë nëse ka pasur lëshime në rast.

“Jam në gjendje me i bartë të gjitha përgjegjësitë, dhe na nuk mujna me parandje se çka ndodhë. Ne kemi kritika të vazhdueshme për caktimin e masave të paraburgimit”, tha ai.

“Unë pa e pa rastin që ka ndodhë dhe a është zbatu ndonjë procedurë tjetër e urdhërit mbrojtës se me siguri është zbatuar, dhe pa i pa rrethanat…Nëse ka pasë lëshime, muj me dhanë përgjegjësi para çdo institucioni. Kurgjo nuk është ba me ndonjë tendencë apo intervenim. Por rrethanat se si ka ndodhë duhet me pa komplet rastin”, tha ai.

Kujtojmë se prokurori Maloku është prokuror edhe në rastin e famshëm “Brezovica”.

Lajmi.net raportoi më herët se tanimë e ndjera, Hamide Magashi, kishte raportuar se kishte pasur dhunë nga Halili. Ajo përpos kësaj, në denoncimin e saj kishte thënë se disa herë me radhë ishte kërcënuar edhe me armë, pretendime këto që ishin mohuar nga Sokol Halili.

E në fund të korrikut të këtij viti, siç raporton kallxo, ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Halili, ku ishin gjetur dy armë, një pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari sipas raportimit, me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Më vonë, në shtator, për armëmbajtje pa leje, ai ishte dënuar nga gjykata me 300 euro.