Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e arrestit shtëpiak për 16 gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, e të cilat sot dolën para gjykatës nën dyshimet për pjesëmarrje në ISIS.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata Themelore – Departamenti Special në Prishtinë, caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër gjashtëmbëdhjetë të pandehurave, V.A, E.S, Sh.T, M.T, L.I, A.A, G.L, D.D, V.I, J.L, R.Q, A.M, J.Xh, F.Z, Q.S, dhe E.B., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtat kishin për të kryer veprën penale: Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste nga neni 143 paragrafi 2 të KPK-së, dhe Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin në Konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-200.
Propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurat janë bazuar në nenin 165 paragrafi 2 e nën paragrafi 2.3 dhe 2.4 të KPRK-së, si dhe, nga neni 165 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5.3 të KPRK-së.
Këto gra janë kthyer të premten mbrëma nga Siria në Kosovë bashkë me shumë burra e fëmijë.