Fjalë Kyçe

Prokuroria kërkon masë të paraburgimit për Xhabir Zharkun

Prokuroria kërkon masë të paraburgimit për Xhabir Zharkun

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj që t’i caktojë masën e paraburgimit ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zhaku, i cili gjendet në ndalim që nga data 14 dhjetor 2019.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i Zharku, “me datë 23 tetor 2008 në Kaçanik dhe më 10 shkurt 2010, si person zyrtar- Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, me të cilën do të kryente veprën penale ‘Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’”, raporton Koha.net.

Shkuri Jashari, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se tashmë është duke u mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit për Zharkun.

Kujtojmë se dje, Krimet Ekonomike arrestuan ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Departamenti i Krimeve Ekonomike në Ferizaj dje kishte zhvilluar një operacion shumë të suksesshëm i cili rezultoi me arrestimin e Zharkut.

Burime të sigurta të gazetës “Koha Ditore” kanë thënë se ish-kryetari Zharku më 2010 ia kishte dhënë një parcelë prej disa arësh në shfrytëzim një kompanie private e cila ndërkohë ia ka shitur një kompanie tjetër pa të drejtë ligjore. Ndërkohë, kompania blerëse ka ndërtuar një objekt banesor dhe e ka paditur komunën që më pastaj Gjykata ia ka njohur të drejtën kësaj kompanie dhe prona ka kaluar në emër blerësit.

Ndërkohë ish-kryetari Zharku, nuk e ka lejuar zyrtaren ligjore të iniciojë një ankesë në shkallën e dytë të gjykatës pasi që ajo parcelë nuk është dashur të shitet në këtë mënyrë. Ish-kryetari Zharku tashmë, përveç veprës për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, do të përballet edhe me veprën tjetër “ndikim i presionit ndaj zyrtares ligjore”.

Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ dhe ‘Ushtrim i ndikimit’”, tha për KTV-në Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës në Prishtinë.

“Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundoi ai.

Xhabir Zharku në vitin 2011 ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur, raporton Koha.net.

Qysh nga arratisja e tij, Zharku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.

Për gati 5 vjet e gjysmë, ish-kryetari i Kaçanikut qëndroi në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të vitit 2018, Xhabir Zharku u kthye sërish në Kosovë.

Gjykata e Kaçanikut në maj të po këtij viti kishte nxjerrë vendimin për të ndalë ekzekutimin e dënimit me burg për ish-kryetarin e arratisur të Kaçanikut, Xhabir Zharku.