Fjalë Kyçe

Prokuroria kërkon paraburgim për burrin që rrahu një grua në një market në Prishtinë

Prokuroria kërkon paraburgim për burrin që rrahu një grua në një market në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar të caktohet masa e paraburgimit ndaj personit me inicialet F.B për shkak se ka rrahur një grua në një market në Prishtinë.

Prokuroria njofton se i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Sulmi’, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria më tej bën të ditur se “Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”.

Ndryshe, dje mediumi Sinjali ka publikuar një video në të cilën shihet personi në fjalë duke sulmuar një grua, derisa ishte në supermarket i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.

Personi ushtron dhunë fizike ndaj viktimës e cila ishte duke blerë po ashtu ushqim.