Fjalë Kyçe

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin nga Gjilani që vrau bashkëshorten

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin nga Gjilani që vrau bashkëshorten

Mbrëmë në prag të ndërrimit të moteve në Gjilan ka ndodhur një vrasje e cila po konsiderohet si aksidentale. Një person ka vrarë bashkëshorten e tij derisa ishte duke gjuajtur me armë zjarri, për të festuar kështu ardhjen e Vitit të Ri.

Lidhur me këtë rast, Prokurori i shtetit, ka kërkuar që i dyshuari J.J, të dërgohet në paraburgim prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes një komunikate ka bërë të ditur se menjëherë pas njoftimit me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe Njësia e Hetimeve Regjionale e Policisë së Kosovës.

Ndaj të dyshuarit J.J është lëshuar aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orve.Ai dyshohet të ketë vrarë bashkëshorten, mirëpo është ndaluar edhe për shkak të mbajtjes së armës pa leje.

Ndërkaq në komunikatën e prokurorisë, thuhet se i dyshuari e ka goditur në shpinë bashkëshorten e tij.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, më 01 janar 2018, rreth orës 00:10 minuta, në fshatin Selishtë, komuna Gjilan, i dyshuari J.J. (1958), nga pakujdesia, me pushkën e tij të gjuetisë, të cilën e ka poseduar pa leje dhe autorizim, e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Z.J. (1956), në atë mënyrë që derisa ka qenë duke shtënë me armë në ajër, për festën e Vitit të Ri, arma është bllokuar dhe nuk ka shkrepur, me ç’rast duke tentuar ta rregullonte, e njëjta ka shkrepur dhe në një distancë prej 2-3 metra, e ka goditur të ndjerën, në pjesën e epërme të shpindës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, theksohet në komunikatën e Prokurorisë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, për kryerjen e autopsisë.

Prokurori i shtetit, sot ka nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila pritet që të vendosë për këtë çështje brenda afatit ligjor.