Fjalë Kyçe

Prokuroria nis hetimet ndaj qytetarëve të cilët ofruan votën për shitje

Prokuroria nis hetimet ndaj qytetarëve të cilët ofruan votën për shitje

Qytetarët që kanë filluar të publikojnë shpallje për shitjen e votës nëpër web faqet e shitblerjeve online, mund të kenë probleme me ligjin. Kjo pasi Prokuroria dhe policia kanë nisur hetimet ndaj tyre dhe këtë të diele është intervistuar personi i parë i cili është identifikuar nga ana e institucioneve, raporton Gazeta Express

Të premten e kësaj jave, Gazeta Express ka raportuar se disa qytetarë kanë nxjerrë votën e tyre në shitje. Këtë qytetarët po e bëjnë në web faqen e cila përdoret për shitblerje të gjësendeve dhe patundshmërive, MerrJep.

Pas kësaj, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë kanë nisur hetimet rreth këtyre rasteve dhe kanë filluar intervistimin e qytetarëve të cilët kanë bërë vepër penale duke nxjerrë votën në shitje.
Këtë për Express e ka konfirmuar Prokurori Ilaz Beqiri.

“Dje e kemi iniciuar rastin në polici, policia janë duke punuar në këtë rast. Deri më tani kemi arritur ta gjejmë një person, i njëjti sot është intervistuar. A.G. banor i Prishtinës është intervistuar sot. Jemi duke punuar që t’i intervistojmë edhe personat e tjerë dhe nuk do të ketë pardon për askënd. Të gjithë do të përgjigjen për veprimet që janë duke i bërë”, ka thënë Beqiri për Gazetën Express.

Beqiri ka shtuar se i intervistuari e ka pranuar se e ka publikuar shpalljen në MerrJep, por ka thënë se nuk e ka bërë me qëllimin që ta shesë votën, por vetëm në formë shakaje.

“Ai ka thënë se si hajgare i është dukur, ka thënë se nuk e ka ditur që mund të ketë pasoja”, ka theksuar Beqiri.
Beqiri bëri të ditur se i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Beqiri.