Fjalë Kyçe

Prokuroria nis hetimet pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Prokuroria nis hetimet pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin e anulimit të zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Han të Elezit.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria, ku thuhet se hetimet lidhur me rastin në fjalë kanë nisur pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit.

Sipas Prokurorisë, Sektori Rajonal i Hetimeve do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndryshe, kandidatë për kryetar të Komunës Hani i Elezit, ishin Sherif Berisha, Rufki Suma dhe Mehmet Ballazhi, ku me shumicë votash kryetar i kësaj komune u zgjodh fitues Mehmet Ballazhi.

Lidhur me këtë, kandidati për kryetar të komunës së lartcekur, Rufki Suma, ka parashtruar ankesë.

Pas kësaj, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 21 tetor 2021 mori vendim në bazë të cilit është pranuar ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës në Han të Elezit, Rufki Suma.

Në bazë të këtij vendimi, është anuluar procesi i votimit për zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor 2021, vetëm për kryetar komune.

Po ashtu, sipas vendimit të PZAP, është urdhëruar Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune në qendrat e votimit, në Komunën e Hanit të Elezit.

Pretendimet ankimore të cilat janë konsideruara të bazuara, sipas PZAP-së kanë qenë se në ditën e votimit, në qendrat e votimit ka pasur presion ndaj votuesve, e po ashtu ka pasur organizim për të votuar dhe blerje të votës për të votuar subjektin politik “Partia Demokratike e Kosovës”, gjë që kjo është vërtetuar nga mesazhet e dorëzuara si provë, e që paneli i PZAP gjeti se këto pretendime janë të besueshme dhe të qëndrueshme.