“Burimi i informacionet tim janë fjalët e vetë organizatorëve të kësaj organizate vrasëse. Ishin në ndërtesën e Kuvendit, në sallë të Kuvendit, në pritje të hapjes së seancës të Kuvendit, ku me veshët e mi i kam dëgjuar fjalët e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, që kanë thënë se do t’i vrasin këta njerëz sepse e meritojnë me i vra”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.
Kjo deklaratë e presidentit Hashim Thaçi, asnjëherë deri më tani nuk ishte hetuar nga Prokuroria Speciale, raporton KTV.
Të njëjtën ditë, dëshminë e tij në gjykatë e kishte dhënë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
Por, këto dëshmi dhënë gjykatës, nuk kanë mjaftuar që të nisë një hetim ndaj Konjufcës dhe Kurtit.
Prokurori Special, Sylë Hoxha, ka thënë se i kishte analizuar dhe vlerësuar këto dëshmi, por nuk i kishin mjaftuar për ta nisur një hetim të ri.
Hoxha, përmes telefonit, ka konfirmuar se në rast se paraqitet ndonjë provë e re në këtë rast, atëherë hetimet mund të fillojnë.
Por, avokatja e njërit nga të akuzuarit kryesorë në procesin gjyqësor të njohur si “Syri i Popullit”, Fehmie Gashi-Bytyçi, e cilëson si lëshim të Prokurorisë Speciale mosnisjen e hetimeve, sidomos në këtë rast ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë.
Një ditë më parë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe deputeti Glauk Konjufca, dorëzuan në gjykatë padi kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli
Sipas liderëve të VV-së, në seancën gjyqësorë të datës 28 dhjetor, Thaçi dhe Veseli nën betim, kishin shpifur kundër Kurtit dhe Konjufcës.