Fjalë Kyçe

Prokurorja ndryshon përshkrimin e aktakuzës ndaj Grabovcit dhe Beqajt

Prokurorja ndryshon përshkrimin e aktakuzës ndaj Grabovcit dhe Beqajt

Prokurorja Drita Hajdari ka bërë ndryshimin e përshkrimit në njërën pikë të aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt, të cilët akuzohen në rastin e njohur si “Pronto”.

Në këtë rast, po akuzohen edhe akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritej jepej fjala përfundimtare nga palët në procedurë, prokurorja Hajdari, ka deklaruar se ka bërë ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës në rastin e Grabovcit dhe Beqajt.

“E bëj ndryshimin e dispozitivit nga pika 4 e aktakuzës kundër Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt. Ndryshohet komplet dispozitivi si në vijim: I pandehuri Adem Grabovci si deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i pandehuri Besim Beqaj si ministër në MZHE, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar, ashtu që në kohen derisa ishte në fuqi konkursi i shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës i 31 tetorit 2011, për pozitat e drejtorëve në Bordet e Ndërmarrjeve Publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe konkursi për pozitën kryeshef ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike i 28 tetor 2011, të akuzuarit përmes bisedës telefonike të 9 dhjetorit 2011, kanë bashkëpunuar me anë të marrëveshjes për anulimin dhe rishpalljen e konkurseve për drejtorët e ndërmarrjeve publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe për anulimin e konkursit për pozitën e keryeshefit ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se me këtë rast, në aferën e përgjimeve, dëgjohet që Grabovci dhe Beqaj bisedojnë lidhur me këto konkurse.

“I pandehuri Beqaj i thotë të pandehurit Grabovi “a ti thom atyne dyve, ti rishpallim Trainkos dhe Infrakos, ndërsa i pandehuri Grabovci i përgjigjet “Sejdes i thashë po edhe atij tjetrit nëse don thuj”, Beqaj i thotë “dytë t’ia rishpallim edhe tanaj të shohim”, ndërsa i pandehuri Grabovci “Ok, OK, masi të shpallet ky tjetri”, Beqaj përgjgijet “tani i shpallim dytë, Grabovci “po dytë”, Beqaj “edhe i zgjedhim tani dhe bordet”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë është tentuar që përmes anulimit të konkurseve dhe ri-shpalljen e tyre të krijojnë kushte për caktimin e personave sipas bindjes personale dhe politike, duke mohuar dhe kufizuar të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar sipas konkurseve në fjalë.

Ajo ka deklaruar se njëjtë është vepruar edhe për çështjen e marrjes së vendimit për ushtrues detyre në Posten dhe Telekomin e Kosovës.

“Ndërsa të nesërmen më 13 dhjetor 2011, në ditën kur Bordi i Drejtorëve në PTK vendoste për pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, i akuzuari Besim Beqaj i thotë të akuzuarit Grabovci “thuaja lirisht, asnjë vendim, asnjë hap gjatë ushtrimit të detyrës, veç ka me ushtru detyrë”, për çka i akuzuari Grabovci dakordohet, duke thënë “Okej, okej”, me çka të akuzuarit tentuan që t’i mohojnë dhe kufizojnë të drejtat dhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, me çka të pandehurit në formën e bashkëpunimit, bashkëkryerjes nga neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë kryer veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve edhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Sipas saj, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.

Mbrojtësi i Besim Beqajt, avokati Besnik Berisha, ka thënë se duket se kualifikimi juridik mbetet i njëjti.

“Ne e kemi thënë çdoherë se është bërë me qëllim të kamuflimit të parashkrimit të gjendjes faktike, prandaj identiteti i aktakuzës ndryshon tërësisht për shkak se më në fund e kuptuan se nuk paska qenë për drejtor, sikurse më në fund e kanë kuptuar që ushtruesi i detyrës për të cilin gjykata e ka refuzuar propozimin më pas në cilësinë e dëshmitarit, prokuroria e ka pranuar se ai ka qenë standard ushtrues i detyrës. Tash na paska ndryshu dhe pretendojnë se kanë mohuar kompetencat e ushtruesit të detyrës në fjalinë “thuja se vetëm ka me ushtru detyrën”. Në këtë situatë më duhet me përgatit mbrojtjen, me propozu dëshmitar, me ia shpërfaq prokurorisë jo objektivitetin e saj dhe mungesën e guximit për një rast që ia ka ngjit emrin “Pronto”, e kurrë protagonistin nuk kanë guxu me thirr, qëndrimi jonë është që na duhet 10 minuta me konsultu dispozitivin dhe me i konsultu hapat e mëtejshëm”, ka thënë avokati Berisha.

Mbrojtësi i Adem Grabovcit, avokati Florent Latifaj, ka thënë se pas ndryshimit të pikës 4 të aktakuzës dhe pas ndryshimit të përshkrimit faktik të gjendjes faktike, në këtë fazë ndihet i obliguar për të propozuar dëshmitarë të ri, që sipas tij, do të sqaronte se si është bërë shpallja e konkursit për drejtor të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike në “Trainkos” dhe “Infrakos”.

“Kur është bërë kjo shpallje, kush e ka anuluar këtë shpallje, kush ka kompetencë me anulu këtë shpallje dhe cili ka qenë roli i të mbrojturit tim në krejt këtë ngjarje dhe për me na sqaru këtë çështje me së miri unë propozojë si dëshmitar sekretarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Fitim Krasniqin”, ka thënë avokati Latifaj.

Këtë propozim e ka përkrahur edhe avokati Besnik Berisha.

“I bashkëngjitëm propozimit dhe po ashtu kërkojmë që gjykata të ftojë edhe Nuredin Krasniqin, meqenëse sot dispozitivi i aktakuzës u ndryshua dhe pretendon se atij i është tentuar t’i mohohen dhe kufizohen kompetencat e tij si ushtrues detyre. Meqenëse, bëhet fjalë për tentativë dhe tentativa kërkon që së paku një veprim të ndërmerret, atëherë ne patjetër duhet me provu para juve nëpërmjet këtij dëshmitari nëse është ndërmarrë ndonjë veprim edhe më i vogli me ja kufizu ose me ia mohuar të drejtat e tyre si kryesues detyre”, ka deklaruar ai.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, pas konsultimit ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit Adem Grabovi, avokatit Florent Latifaj që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Fitim Krasniqi.

Gjithashtu, është aprovuar edhe kërkesa e avokatit Berisha që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Nuredin Krasniqi.

Gjykata për shkak të ndryshimit të përshkrimit faktit të aktakuzës ka vendosur që për sqarimin e këtyre gjerave të dëgjohen këta dy dëshmitarë.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.