Fjalë Kyçe

Propaganda ruse, KIPRED: Në më pak se tre muaj u publikuan 500 lajme që kanë të bëjnë me Kosovën

Propaganda ruse, KIPRED: Në më pak se tre muaj u publikuan 500 lajme që kanë të bëjnë me Kosovën

Mediet ruse për më pak se tre muaj kanë publikuan 500 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën.

Kështu u tha në raportin “Observeri i Kosovës – Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 1 qershor-15 gusht 2021“, prezantuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), duke shtuar se çdo i pesti lajm i publikuar kishte përmbajtje me dezinformata.

Drejtori ekzekutiv i KIPRED, Lulzim Peci gjatë prezantimit të të gjeturave tha se, Rusia karshi Serbisë po krijon narrativa që e strukturojnë luftën diplomatike e që janë të shoqëruara me dezinformata ë botuara nga mediet e përzgjedhura.

Peci ka shtuar se, reagimet e Kosovës nuk kanë qenë të duhura karshi narrativës ruse.

“Institucionet e Kosovës kanë kapacitete të ndara, mirëpo nuk ekziston desku që të merret në baza ditore me Rusinë. Reagimet e vendit kanë qenë ad-hoc. Institucionet nuk kanë krijuar narrativ ndaj Rusisë”, tha Peci.

Mediat e përzgjedhura që origjinën e kanë në Rusi e që janë monitoruar brenda kësaj periudhe janë Russia Today (RT), Sputnik International, Sputnik Serbia, Meduza, Russia Insider, TASS, The Moscoë Times, Neësfront, Unz, The Duran dhe Pravda Report.

“Monitorimi i të dhënave tregon se gjatë kësaj periudhe këto botime mediale me origjinë në Rusi i kanë publikuar 500 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën. Sputnik në serbisht i botoi 457 lajme, Sputnik International 16 lajme, Russia Today 7 lajme, Russia Insider 3 lajme, Meduza asnjë lajm, TASS 10 lajme, The Moscoë Times asnjë, Pravda Report asnjë, NeësFront 1 lajm, UNZ-i 4 lajme dhe Duran 2 lajme”, thuhet në raport.

Sipas KIPRED-it, nga 500 lajmet e publikuara, 96 prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata, ku numri më i madh i tyre vjen nga Sputnik Serbia.

“Një vështrim që e bëri KIPRED-i, të lajmeve të botuara nga këto media, tregon se nga 500 lajmet që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën, 96 lajme apo 19.2 për qind prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata. Numri më i madh i dezinformatave është botuar nga Sputnik Serbia apo 71 lajme, pasuar nga TASS me 9 lajme, Russia Today (RT) me 4 lajme, UNZ me 4 lajme, Sputnik International me 3 lajme, Russian Insider me 2 lajme, The Duran me 2 lajme dhe NewsFront me 1 lajm”, thekson KIPRED në raport.

Po ashtu, raporti thotë se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të lajmeve të botuara nga mediet ruse ka pasur të bëjë me rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës, ndryshimi i narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, rrënimi i kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtet-ndërtimin në Kosovë dhe në dialogun Prishtinë-Beograd dhe paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodoske Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara.

“Sa i përket përmbajtjes së lajmeve që kanë pasur dezinformata dhe që janë botuar nga këto media ruse, numri më i madh i tyre ka synuar ta rrënojë legalitetin e shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës apo 32 lajme, pasuar nga paraqitja e komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara me 24 lajme, ndryshimi i narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi me 24 lajme dhe rrënimi i kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtet-ndërtimin e Kosovës, dhe në dialogun Prishtinë-Beograd me 16 lajme”, përfundon raporti.

Ky raport ka analizuar deklaratat publike, konferencat për shtyp, artikujt dhe dokumentet e tjera të botuara në ueb-faqet e Kremlinit, të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, të Misionit të Përhershëm Rus në Kombet e Bashkuara, të Misionit të Përhershëm të Rusisë në OSBE, të Përfaqësimit të Përhershëm rus në Këshillin e Evropës dhe të Ambasadës ruse në Serbi, e që janë zëdhënësit kyç në luftën diplomatike ruse kundër Kosovës.