Fjalë Kyçe

Propozohet legalizimi i kanabisit

Propozohet legalizimi i kanabisit

Një komision i Qeverisë zvicerane ka propozuar legalizimin e kanabisit.

Komisioni Federal për Çështjet e Varësisë ka thënë se përdorimi i kanabisit në Zvicër nuk ka ndryshuar aq shumë gjatë 10 vjetëve të fundit. Pavarësisht popullaritetit, përqindja e ‘përdoruesve problematikë’ është e ulët, kanë njoftuar ata.

Rreziqet e kanabisit kryesisht lidhen me sasi të mëdha të THC-së (përbërës aktivë), përdorimi nga adoleshentët, përdorimi për një kohë të gjatë, përzierja e kanabisit me duhan dhe përdorimi i kanabisit nga njerëz me probleme mendore.

Komisioni ka rekomanduar që Zvicra ta legalizojë atë dhe ta rregullojë tregun, duke mbrojtur shëndetin e popullsisë, sidomos të të rinjve. Ata po ashtu thanë se duhet të ketë kontrolle të caktuara në treg. Sipas tyre, kjo do të ndihmonte në kërkime shkencore dhe do ta mundësonte qasjen te disa kimikate që ndodhen në bimët e kanabisit.

Rritja dhe përdorimi i kanabisit janë të ndaluara në Zvicër. Megjithatë, çdo kush mbi moshën 18-vjeçare, nëse kapet me kanabis (në masë deri 10 gramë), do të gjobitet me 100 franga, por kjo vepër nuk do të regjistrohet në dosjen e tyre penale.

Qeveria ka vlerësuar se rreth 200 mijë njerëz në Zvicër përdorin kanabis, pavarësisht se është i paligjshëm. Përdorimi i kanabisit është më i përhapur në mesin e meshkujve, adoleshentëve e të rinjve. Shumica janë përdorues të ‘rastit’, ndërkaq rreth 1 për qind e popullsisë e pranojnë se janë përdorues të shpeshtë të kanabisit.

Ndërkohë, qeveria po propozon pilot projekte të kufizuara që lejojnë deri në 5000 njerëz ta konsumojnë marihuanën në mënyrë legale, gjë që mund të nxisë ndryshime në ligjin që ndalon kanabisin, ligj ky që daton nga viti 1951. Plani është bërë publik, për t’i dhënë hapësirë audiencës për ta komentuar.

Qeveria po ashtu planifikon ta lehtësojë procesin e marrjes së marihuanës mjekësore, por kjo është pjesë e një procesi të veçantë. Ndërkaq, Zvicra tashmë i lejon produktet e kanabisit që përmbajnë më pak se 1 për qind THC (përbërësi kryesor aktiv i kanabisit), albinfo.ch

Disa shtete në Amerikë kanë lehtësuar kufizimet mbi marihuanën, duke e parë si mundësi për të kursyer para për zbatimin e ligjit, dhe për të përfituar nga taksat. Në Evropë, Portugalia dhe Republika Çeke kanë legalizuar kanabisin, kurse Luksemburgu është duke e diskutuar këtë çështje.