Fjalë Kyçe

PSD reagon për largimin nga puna të 30 punëtorëve të Aeroportit

PSD reagon për largimin nga puna të 30 punëtorëve të Aeroportit

Partia Socialdemokrate, ka reaguar në lidhje me largimin e 30 punëtorëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.

Në këtë reagim të PSD-së, thuhet se “Limak” nuk po di të ndalet, derisa kanë cituar sindikatën e punëtorëve të cilët kanë thënë se nga janari i këtij viti e deri sot numri i të larguarve arrin në 54.

“Largimet nga puna, edhe në Aeroport sikur në KEDS kanë për qëllim disiplinimin e punëtorëve përmes ndëshkimit. Sindikata tregon se qysh nga greva e gushtit të vitit 2019 kishin nisur kërcënimet e shantazhet. Punëtorët e larguar, përfshirë këtu udhëheqës të Sindikatës po largohen sepse kanë organizuar grevë për të drejtat e tyre. Grevë kjo që është në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje PSD, kanë thënë se menaxhmenti i kompanisë “Limak”, është shprehur se nuk ka largime nga puna por vetëm mosvazhdime të kontratave.

“Kjo fjali mund të merret e mirëqenë vetëm kur si gjendje normale kemi pranuar prekariatin. Pra, me kontrata afatshkurtëra ose pa to fare, pa të drejta e siguri për të ardhmen. Kjo është gjuha shpjeguese e neoliberalizmit për punëtorin”, vazhdon reagimi.

PSD, kanë thënë se kompania në fjalë ka përfituar e grabitur shumë nga asetet publike të Kosovës përmes procesit të privatizimit. Sipas tyre, këtë e ka bërë përmes qeverive të mëparshme.

“Por, veprimet e fundit në KEDS dhe ANP “Adem Jashari” vijnë në kohën e Qeverisë që thotë se është për punëtorët e mirëqenien e tyre. Qeveria e re nuk na ka treguar ende nëse i qëndron besnike qëllimit të dikurshëm për rishikimin e privatizimit, veçanërisht privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë ku është kompania në fjalë. PSD qëndron në solidaritet të plotë me punëtorët, mbështet kërkesat e tyre dhe ofron çdo mbështetje e angazhim”, përfundon reagim i Partisë Socialdemokrate.