Fjalë Kyçe

Pse Specialja po vonohet me fillimin e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së?

Pse Specialja po vonohet me fillimin e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së?

Gjykimi për ish-krerët e UÇK-së ende nuk ka filluar ndonëse ishte paraparë që të fillonte në shtator të këtij viti. Ish-krerët e UÇK-së po vazhdohen të mbahen në paraburgim fiks qe një vit. ‘Para pak çastesh jam informuar nga njerëzit kompetent se gjykatësi i procedurës ka konfirmuar aktakuzën kundër meje’, kështu nisi dita fiks një vit më parë për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Menjëherë pasi përfundoi konferencën e tij të fundit për media si shef i shtetit, mori rrugë drejt zyrave të Eulexit në Fushë Kosovë. Aty pak më vonë do i bashkohej edhe ish-bashkë partiaku i tij në PDK, Kadri Veseli, që nuk u deklarua për media, dhe ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Nga zyrat e misionit të BE-së për sundim të ligjit, të tre ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën të njëjtën rrugë. Me 7 vetura zyrtare të EULEX, ata u dërguan në pjesën e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, që kontrollohet nga KFORI.

Nën shoqërimin e policëve të ZPS-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u vendosen në një aeroplan privat dhe menjëherë u transferuan në Qendrën e Paraburgimit në Hagë të Holandës.

Kjo tronditi skenën politike në Kosovë, në krye të së cilës u vendos Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së Presidentes. Vetëm një ditë më vonë, shtëpitë e tre të arrestuarve u bastisen për orë të tëra nga njësitet policore të Eulex dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Brenda javës, Thaçi, Veseli e Selimi bënë edhe paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake. Siç edhe tha para nisjes për në Hagë, Selimi zgjodhi të flasë nga salla e gjyqit. Njëjtë si ky, edhe Thaçi e Veseli u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, Thaçi, Krasniqi, Selimi e Veseli po mbahen në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për të katërtit është refuzuar disa herë kërkesa për lirim me kusht, derisa gjykatësi paraprak i procedurës ka kërkuar garancë edhe nga Policia e Kosovës për mbikëqyrjen e ish-krerëve të UÇK-së nëse mbrohen në liri.

Gjatë kësaj kohe në Kosovë dy herë erdhi Kadri Veseli, veçse arsyeja e vizitës nuk ishte e mirë. Njëherë vizitoi babain e tij në spital, e herën tjetër erdhi për t’i qëndruar afër familjes kur babai i tij ndërroi jetë.

Për vizitë në Hagë këtë vit shkoi edhe një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë, por këta u priten vetëm nga Selimi e Krasniqi, pasi Thaçi e Veseli nuk pranuan t’i takojnë.

Sidoqoftë, gjykimi për ish-krerët e UÇK-së ende nuk ka filluar ndonëse ishte paraparë që te fillonte në shtator të këtij viti.