Fjalë Kyçe

Pse Veseli refuzon të merr pjesë në takimin e thirrur nga Haradinaj?

Pse Veseli refuzon të merr pjesë në takimin e thirrur nga Haradinaj?

PDK-ja nuk e ka pritur aspak mirë dorëheqjen e kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt nga shefi i qeverisë.

Për shkak të kësaj paknaqësie, PDK-ja ka refuzuar që sot të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haradinaj.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se një takim i tillë ka mundur të thirret para vendimit të Haradinajt për të hequr dorë nga posti i kryeministrit, shkruan Insajderi.

“Ne me zotin Haradinaj kemi qenë partnerë dhe kemi mundur të diskutojmë edhe para se me dhënë ai dorëheqje. Kemi pasë takime të rregullta”, ka thënë Beqaj për Insajderin.

I pyetur se pse pas dorëheqjes gatishmëria e PDK-së nuk është e njëjtë për t’u takuar me Haradinajn, Beqaj ka pranuar se kjo është për shkak të vendimit të tij për të dhënë dorëheqje.

“Për shkak të dorëheqjes që ka qenë vendim personal i zotit Haradinaj”, ka pohuar Beqa.

Ai ka thënë se PDK po e pret ftesën e presidentit për të diskutuar për situatën e krijuar.

“Tash është detyrë e presidentit me i bë ftesa për takim lidershipit, por nuk është e keqe edhe liderët tjerë me bë ftesa. Ne si parti institucionale do ta presim presidentin dhe do t’i përgjigjemi”, ka thënë Beqa.

Takimi ndërmjet kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj me liderët e koalicionit ka nisur. Ndërkaq në takim ka refuzuar të shkojë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.