Fjalë Kyçe

Publikohet video kur Ibrahim Rugova vizitonte refugjatët kosovarë në Maqedoni, para 20 vjetëve

Publikohet video kur Ibrahim Rugova vizitonte refugjatët kosovarë në Maqedoni, para 20 vjetëve

Muhamet Hamiti, i cili ka qenë këshilltar për media i ish presidentit, Ibrahim Rugova, ka publikuar një video ku shihet derisa Rugova i kishte vizituar refugjatët kosovarë në Maqedoni, para 20 vjetëve

Ai ka shkruar se më 26 maj 1999, Ibrahim Rugova ishte për vizitë në Maqedoni dhe atje u takua me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, me bashkëpunëtorë të vet që në atë kohë ishin refugjatë në Maqedoni.

“Si sot 20 vjet më parë, më 26 maj 1999, Presidenti Ibrahim Rugova ishte për vizitë në Maqedoni. U takua me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, me bashkëpunëtorë të vet që në atë kohë ishin refugjatë në Maqedoni. Unë vetë kam qenë njëri prej tyre. Kam kujtime të gjalla nga takimi me prijësin tonë atë ditë.

Mbi të gjitha, siç shihet në këtë storie të Associated Press-it, Presidenti Ibrahim Rugova u prit me gëzim e brohoritje nga refugjatët kosovarë në Stenkovec.

Duke folur frengjisht e anglisht para gazetarëve të shumtë, Presidenti Rugova thotë se duhet të vendoset prani ndërkombëtare, trupa tokësore të NATO-s në Kosovë, për të krijuar kushtet që shqiptarët të mund të kthehen në atdheun e vet. Po punohet me mjete ushtarake e diplomatike që kjo të bëhet realitet, thotë Presidenti Rugova, duke u shprehur optimist për të ardhmen e popullit dhe vendit të vet.”