Fjalë Kyçe

Punësimet partiake dhe familjare në Ministrinë e Arsimit

Punësimet partiake dhe familjare në Ministrinë e Arsimit

Partia Nisma Socialdemokrate e cila drejtohet nga Fatmir Limaj e që është subjekti më i vogël në koalicionin qeverisës po dikton shumicën e punësimeve në sektorin publik, si në ministri, në ndërmarrje publike e gjetiu.

Derisa partitë llogarisin se gjatë vitit 2019 mund të ketë zgjedhje të përgjithshme në vendin tonë, ato janë mobilizuar në një fushatë të parakohshme parazgjedhore. Ndërsa Fatmir Limaj dhe partia e tij janë treguar më të shkathët dhe kanë marrë primatin e punësimeve politike.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është kthyer në degë partiake të Nismës. Në vend se të kujdeset për përmirësimin e sistemit arsimor, ministri Shyqiri Bytyqi e ka kthyer ministrinë që drejton në qerthull partiak, duke bërë punësime kryekëput të njerëzve me profil politik të subjektit prej nga vjen edhe ai, pra nga Nisma Socialdemokrate.

Kështu në tri pozitat për vendin e punës sekretar në komisionin për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut janë përzgjedhur tre kandidatët e suksesshëm në mesin e tyre Alberina Foniqi-Bojaj e cila është anëtare e Forumit të Gruas e Nisma Socialdemokrate në Klinë. Në një postim të subjektit politik në llogarinë zyrtare në Facebook thuhet se ajo është zgjedhur madje nënkryetare e Forumit të Gruas.

Ministri Shqyiri Bytyqi është kujdesur edhe për punësimin e të afërmve të tij si në rastin e mbesës Beslinda Hoxha dhe djalit të balldyskës Milot Hysenit. Ata janë punësuar përmes një projekti të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Një rast tjetër i punësimeve partiake është edhe konkursi për pozitën zyrtar i lartë për arsim të lartë privat. Në njoftimin e datës 6 shkurt 2018 bëhet e ditur se pas përfundimit të procedurës së rekrutimit, lloji i kontratës ‘marrëveshje për shërbime të veçanta’ për periudhë prej gjashtë muajsh, fitues ka dalë Pajtim Kleçka me numër të aplikacionit 05 me pikë totale të fituara 87.33 për qind.

Gazeta Alo ka arritur të mësojë se i njëjti është aktivist i Partisë Socialdemokrate Nisma, nëndega në Kleçkë të Lipjanit. Kjo dëshmohet edhe në postimet e tij publike në llogarinë personale në Facebook.

Punësimet partiake kanë vazhduar gjatë gjithë vitit 2018. Kështu në njoftimin për kandidat të suksesshëm të datës 12 mars 2018 bëhet e ditur se për vendin e punës zyrtar për njohje dhe barasvlerë të kualifikimeve në arsim të lartë, me llojin e kontratës marrëveshje për shërbime të veçanta për periudhën kohore prej gjashtë muajsh, është përzgjedhur Valdete Prebreza me numër të aplikacionit 26 dhe pikët e fituara 76 për qind.

Zonja Prebeza është ish-kandidate e Nismës për asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Po ashtu në të njëjtën datë, për pozitën e njëjtë zyrtare administrative për njohje dhe barasvlerë të kualifikimeve në arsim të lartë është përzgjedhur kandidatja Shkurte Gashi me numër aplikacioni 04 dhe pikët totale të fituara 76.66 për qind.

Edhe zonja Gashi ishte po ashtu kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Në mënyrë të ngjashme është përzgjedhur edhe Arianit Krasniqi për vendin e punës Zyrtar i IT për ueb-faqe. Në njoftimin e datës 3 gusht 2018 bëhet e ditur se lloji i kontratës është marrëveshje për shërbime të veçanta, kurse fitues është kandidati me numër apikacioni 10 me pikët totale të fituara 87.66 për qind. Zoti Krasniqi është kryetar i Forumit të rë Rinjve të Nismës në Malishevë.

Ndërsa në njoftimin për kandidatë të suksesshëm të datës 14 gusht 2018, bëhet e ditur se pas përfundimit të procedurës së rekrutimit, lloji i kontratës ‘marrëveshje për shrëbime të veçanta’ për periudhën gjashtë mujore, janë shpallur rezultatet përfunimtare për pozitën zyrtar për tekste shkollore. Në këtë pozitë janë pranuar dy kandidatët me numër të aplikacionit 06 dhe 03, respektivisht Lavdim Rizani dhe Dianë Bytyqi, me pikët totale 94 dhe 90.33 për qind. Zoti Rizani është pjesë e Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dega në Lipjan. Ndërsa zonja Bytyqi është bashkëshortja e zyrtarit për informim të Partisë Nisma Socialdemokrate.

Gjatë pushimeve verore, Ministra e Shyqiri Bytyqit më shumë se për fillimin e vitit të ri shkollor ishte kujdesur për punësimin e militantëve të partisë Nisma dhe punësimeve familjare në ministrinë të cilën e drejton.

Kështu më 17 gusht bëhet e ditur se me kontratë për marrëveshje për shërbime të veçanta në periudhë gjasht muaj për vendin e punës zyrtar për aftësim profesional ka dalë fituesi kandidati me numër aplikacioni 14, gjegjësisht Veton Kastrati me 59.33 për qind. Ky i fundit shihet në facebook i shoqëruar nga lideri i partisë Fatmir Limaj. Në një postim ai fton të rinjtë e Malishevës që të marrin pjesë në një takim të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në një bashkëbisedim me të rinjtë e kësaj komune me datën 22 nëntor, apo siç shkruan vetë Kastrati në postim ‘për të bashkëbiseduar me ne’.

Gazeta Alo ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje as pas më shumë se një jave. Punësimet partiake dhe familjare po vazhdojnë jo vetëm në ministrinë e udhëhequr nga ministri Shyqiri Bytyqi, por edhe në ministritë e tjera të udhëhequra nga kjo parti. /Gazeta Alo/

Më poshtë mund t’i gjeni dokumentet e publikuara nga Ministria e Arsimit që dëshmojnë se të lartcekurit janë punësuar në këtë institucion: