Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka reaguar rreth deklaratës së zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiç, e cila ka thënë se në Bruksel do të diskutohet edhe çështja e Trepçës.
Kjo deklaratë ka marrë një kundërshtim të fuqishëm nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës që thotë se një diskutim i tillë në Bruksel e cenon sovranitetin e Kosovës. E kjo është kundërshtuar edhe nga kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur sot në takim kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Trepçës, Shyqyri Sadiku, me të cilin kanë diskutuar lidhur me deklarimet e fundit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiç.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar lidhur me dy tema rreth deklarimit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiç, e cila ka thënë se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, edhe përkundër faktit që Kuvendi i Republikës së Kosovës para pak ditësh ka votuar Statutin e ri për Trepçën.
“Bahtiri së bashku me kryetarin e Sindikatës, Sadiku, e kundërshtojnë fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Kocijançiç, duke thënë se tema mbi Trepçën nuk guxon të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve në Bruksel, sepse Trepça është e minatorëve, dhe përbën një pasuri kombëtare, andaj diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Të dy palët ishin të pajtimit që zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, të tërheqë qëndrimet e saj për çështjen e Trepçës përmes një deklarate, përndryshe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shumë shpejt do të organizojë protesta para zyrave të BE-së në Prishtinë./Gazeta Alo/