Punonjësit shëndetësorë kanë hyrë sërish sot në grevë të përgjithshme, me kërkesat që Projektligji për Pagat të shkojë sa më parë në Parlament dhe i njëjti të fillojë së implementuari nga viti i ardhshëm. Greva ishte mbajtur edhe të enjten e kaluar.
Këshilli Drejtues i FSSHK-së kishte kërkuar takim urgjent me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi, me qëllim që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe faktorë të tjerë dhe të shkojë sa më parë në Parlament.
Mirëpo, takimi i kërkuar nuk ka ndodhur dhe sot punëtorët shëndetësorë sërish kanë hyrë në grevë prej orës 07:00.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se edhe për kundrejt pritjeve tona që të takohemi me institucionet shtetërore, këto të fundit nuk ka reflektuar. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si pasojë e mos përgjigjes nga ana e Qeverisë është e obliguar të mbajë grevë 8-orëshe pranë institucioneve shëndetësore”, thuhet njoftimit.
Duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, Këshilli Qendror Grevist siguron se të gjitha shërbimet emergjente do të jepen konform Ligjit mbi Greva.