Fjalë Kyçe

Putin një hap pranë luftës, ukrainasit e “sfidojnë” nga Tirana, bashkia vishet verdhë e blu

Putin një hap pranë luftës, ukrainasit e “sfidojnë” nga Tirana, bashkia vishet verdhë e blu

Në një kohë që presidenti rus Vladimir Putin ka avancuar me planin e tij për pushtimin e e Ukrainës, qytetarët ukrainas nga Tirana janë solidarizuar me vendin e tyre.

Pranë Bashkisë Tiranë e cila është veshur me ngjyrat e flamurit Ukrainas, disa qytetarë nga Ukraina kanë përcjellë mesazhe mbështetje për bashkëkombasit e tyre në këto ditë të vështira për shkak të presionit rus çdo ditë e në rritje.

“Si kryetar i bashkisë@CityOfTirana Jam shumë krenar për banorët tanë Ukrainas! Më pëlqen që ata lulëzojnë dhe përparojnë këtu! Ata gjithashtu duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në vendin e tyre! Ne ndezëm Bashkinë në verdhë e blu në solidaritet për të drejtën e tyre për të jetuar pa shtypje dhe luftë të pakuptimtë”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur pasi presidenti Putin njohu si të pavarura dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, duke përshkallëzuar një krizë që Perëndimi druhet se do të shkaktojë një luftë madhore. Në një fjalim të gjatë televiziv, Putin e përshkroi Ukrainën si një pjesë integrale të historisë së Rusisë dhe tha se Ukraina lindore ishte tokë e lashtë ruse dhe se ai kishte besim se populli rus do ta mbështeste vendimin e tij.

Presidenti rus njoftoi në biseda telefonike për vendimin e tij udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre, sipas Kremlinit. Më pas Presidenti rus u shfaq në televizionin shtetëror duke nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve.

Lëvizja e Moskës vë në rrezik përpjekjen e minutës së fundit për një takim të mundshëm me presidentin amerikan Joe Biden për të parandaluar një sulm rus ndaj Ukrainës.

Disa minuta pas këtij vendimi, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi forcat ruse “të ruajnë paqen në Ukrainën lindore”. Por, nuk është menjëherë e qartë nëse dhe kur trupat do të hyjnë në Ukrainë./abcnews.al