Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka hedhur poshtë ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, me të cilën ka kërkuar që të anulohen si të parregullta fletëvotimet e ardhura nga Serbia, përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku thotë se kërkesa e koalicionit Nisma-AKR-PD për anulimi e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia është hedhur poshtë për shkak se ka skaduar afati i paraparë për ankesa.
Desku shtoi se kërkesa e dërguar në Gjykatën Supreme tani është jashtë afatit ligjor, por ai nuk paragjykon Nismën dhe thotë se është e drejtë e saj t’i drejtohet kësaj gjykate, raporton EO.
“Sipas vendimit AN 380 me të cilin është njoftuar edhe pala në këtë rast subjekti politik koalicioni Nisma-AKR-PD është marrë vendim që ankesa të hidhet sepse është e pasafatshme. Në këshillin juridik të vendimit aty theksohet se ankesa nuk është e lejuar. Kështu që pavarësisht asaj unë nuk mund të paragjykoj se a do t’i adresohen Gjykatës Supreme, mirëpo kjo çështje është e subjektit politik të Nisma-AKR-PD. Lidhur me këtë rast Nisma ka paraqitur një ankesë edhe më herët dhe e ka përsërit me disa elemente shtesë dhe është bërë një praktik që e ka krijuar Gjykata Supreme”, thotë Desku.
Megjithatë, Nisma Socialdemokrate kundër këtij vendimi të PZAP do të ankohet në Gjykatën Supreme.