Fjalë Kyçe

Qalaj: Ka tentativa për ndikime politike në Polici

Qalaj: Ka tentativa për ndikime politike në Polici

Policia e Kosovës sipas drejtorit të përgjithshëm, Rashit Qalaj, është në një proces reformimi nga brenda. Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Qalaj ka folur për ndryshimet që i ka bërë në institucionin që e udhëheq.

Sipas tij, largimet e shumë zyrtarëve nga pozitat që kanë mbajtur lidhen me integritetin dhe mungesën e rezultateve. Detajisht ai ka folur për Drejtorinë e Krimeve Ekonomike që, sipas tij, nuk ka qenë në nivelin e duhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qalaj ka pranuar se si institucion kanë problem me integritet. Por ai ka pranuar që ka dyshime se mund të ketë korrupsion brenda Policisë së Kosovës gjatë zhvillimit të tenderëve. Sipas tij, hetime për korrupsion në fushën e prokurimit aktualisht ka për pesë tenderë.

Drejtori i Policisë nuk e ka mohuar që persona të caktuar brenda Policisë së Kosovës janë të lidhur me grupe të interesit, porse ka thënë se nëse gjen prova do t’i deponojë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Qalaj nuk i ka mohuar as tendencat indirekte të njerëzve të lidhur me politikën që të ndikojnë në punën e Policisë së Kosovës.