Fjalë Kyçe

Qëndrimi i MPJ-së për Bjellorusinë vlerësohet joserioz dhe me anglishte të dobët

Qëndrimi i MPJ-së për Bjellorusinë vlerësohet joserioz dhe me anglishte të dobët

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar për rrëmbimin e aeroplanit në Bjellorusi dhe arrestimin e një gazetari disident.

Porse ajo që vërehet në postimin e MPJ-së në Twitter janë gabimet e shumta në gjuhen angleze.

Rënditja e gabuar e fjalive, ka ngritur dyshime te përdoruesit e kësaj platforme se ministria ka përdorur shërbimin e Google për përkthim “google translate” për shkrimin e këtij statusi.

Gazetari Enver Robelli ka reaguar për postimin në fjalë. Ai e ka cilësuar si joprofesional postimin e MPJ-së.

“Postimi i sotëm i MPJ-së së Kosovës në Twitter lidhur me zhvillimet e fundit në Bjellorusi dhe rolin e Rusisë në Ballkan është joprofesional, jodiplomatik dhe joserioz. Postimi i para disa ditëve i MPJ-së në Twitter lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt ishte, po ashtu, joprofesional, i pabalancuar dhe e thjeshtësonte në mënyrë absurde një konflikt ku gjërat s’mund të shihen bardh e zi. MPJ urgjentisht duhet të arrijë nivel profesional të komunikimit me opinionin publik. Profili i MPJ-së në Twitter nuk është blog apo profil privat Facebooku, ku mund të shkruhet shkel e shko dhe me anglishte të dobët. Profili i MPJ-së në Twitter është, në fakt, pasqyrë e qëndrimeve të shtetit kosovar. Me postime si këto të fundit, Kosova shfaqet para botës me një pasqyrë të përlyer. Kësaj praktike duhet t’i jepet fund – menjëherë! Përgjegjësinë e bart jo vetëm MPJ, por tërë kabineti qeveritar, që duket si i përgjumur në komoditet votash”, ka shkruar ai.

Kritika ka pasur edhe në rrjetet sociale nga qytetarët. Komentet në këtë postim ishin të gjitha kritike.

“Zonja ministre, me gjithë respektin, shkruani më mirë në gjuhën gjermane, sesa në atë angleze me Google-Translate”, “Fshijeni këtë cicërimë më shpejtë se e pasket bo hajgare! Me anglisht nuk jeni kërkah” e “Demantojeni, shkruajeni na e kanë vjedhur passwordin më mirë”, janë disa nga komentet në këtë post.

Në postim ndër të tjera thuhet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po bëhet edhe më agresiv, duke llogaritur në një Perëndim të dobët.

Sipas MPJ-së, pa aprovimin e Putinit nuk do të kishte as sulm të Bjellorusisë ndaj aeroplanit.

Bashkangjitur gjeni edhe postimin e plotë të shkruar në gjuhen angleze nga MPJ-ja.