Fjalë Kyçe

Qeveria ende nuk ka plan për vaksinim masiv

Qeveria ende nuk ka plan për vaksinim masiv

Komunat kanë nisur t’i shtojnë kapacitetet, pas paralajmërimeve nga Qeveria për nisjen e vaksinimit masiv nga 15 qershori. Ato që kanë numër më të madh të banorëve kanë rritur numrin e ekipeve, derisa thonë se po presin vetëm vaksinat. Mirëpo, ekzekutivi nuk ka dhënë detaje për mënyrën se si do të realizohet ky plan dhe periudhat se kur mund të vaksinohen kategori të caktuara të popullsisë.

I vogël ka qenë numri i qytetarëve mesditën e së shtunës për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Por fluksi pritet të rritet nga 15 qershori, kur është paralajmëruar të nisë vaksinimi masiv i qytetarëve.

Qeveria njoftoi të premten se përfundimisht ka blerë 1.2 milionë doza vaksinash nga kompania “Pfizer”, duke thënë se ato pritet të vijnë në Kosovë deri në fund të vitit.

Lidhur me atë se si synon ta realizojë planin e vaksinimit masiv, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje këtë të shtunë.

Por, disa nga komunat e mëdha kanë konfirmuar se u është kërkuar shtimi i kapaciteteve për vaksinim.

“Bëhet fjalë për një qendër të madhe të vaksinimit, për palestrën ‘Karagaqi’, ku do të funksionojnë dhjetë ekipe të vaksinimit në dy ndërrime, pesë në ndërrimin e parë dhe pesë në ndërrimin e dytë. Pra, 12 orë të ditës do të ketë vaksinim”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci.

“Ne jemi të përgatitur me dhjetë ekipe tona në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe si hapësirë për vaksinim për qytetarë sipas të gjitha gjasave do të jetë palestra e sporteve ‘Bashkim Selishta’ në Gjilan”, ka deklaruar nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

Për dallim nga komunat e tjera, Prishtinës aktualisht nuk i është kërkuar t’i shtojë kapacitetet, por kryeqyteti është shprehur i gatshëm të veprojë, nëse është e nevojshme.

Edhe pas mesit të qershorit, vaksinimi pritet të bëhet vetëm në sallën “1 Tetori”.

“Sa i përket aspektit të infrastrukturës i kemi edhe 15 QMF që mund të adaptohen për vaksinim ose ndoshta më mirë të themi dhjetë prej tyre mund t’i ndihmojnë qendrës ‘1 Tetori’, mirëpo kjo mbetet të shihet nëse niveli qendror do të kërkojë që ne të zgjerojmë vaksinimin edhe në qendrat e mjekësisë familjare”, është shprehur Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet.

Në gjithë vendin deri më tani janë vaksinuar mbi 63 mijë qytetarë.

Me 1.2 milionë dozat e “Pfizer”-it, Qeveria synon vaksinimin e 60 për qind të popullsisë brenda gjashtë muajve.