Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj është përgjigjur bllokadës që po planifikon t’ia bëjë presidenti Hashim Thaçi, Ligjit për Paga, me të cilin po krenohet shefi i Qeverisë.
Presidenti Thaçi sic duket ka gjetur një fushë tjetër ku mund ta vazhdojë betejën me kryeministrin Haradinajt, me të cilin së fundmi s’po pajtohet për pothuajse asgjë. Thaçi planifikon ta kthejë mbrapsht ligjin për Paga.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Zyra e Kryeministrit e cilëson kthimin e ligjit në Kuvend si goditje në reformën shtetërore.
“Miratimi në Kuvend i ligjit për pagat është një hap i madh që i jep fund arbitraritetit të pagave në sektorin publik dhe kthimi prapa i tij, do të ishte goditje për reformën shtetërore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkaq, mundësinë që Ligji për Pagat, që u votua të shtunën në kuvend, të rikthehet sërish aty, e ka dhënë Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Thaci.
“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj.
Ligji për Pagat ishte propozuar nga Qeveria dhe me miratimin e tij në Kuvend, Kryeministri Haradinaj po krenohej sepse përmes këtij ligji po i rrit pagat shumicës së punonjësve të sektorit publik, ndërsa po i zvogëlon qeveritarëve.
Ligji i Pagave u miratua në lexim të dytë të shtunën në Kuvend. Ai u fut në rend të ditës pasi Partia Socialdemokrate kishte në listën e pesë kushteve ndaj Qeverisë në këmbim të votave për buxheti, ligji i të cilit u votua në të njëjtën ditë.
Ndërkaq, sic është deklaruar këshilltari i presidentit, Thaci mund ta kthejë në Kuvend, duke mos hyrë në fuqi.
Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli këtë ligj e ka quajtur historik dhe fitore të drejtësisë në paga.