Fjalë Kyçe

Qeveria Kurti hesht lidhur me Manastirin e Deçanit

Qeveria Kurti hesht lidhur me Manastirin e Deçanit

Qeveria e Kosovës qëndron e heshtur lidhur me kërkesën e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia e Britania e Madhe) për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.

Shefat e misioneve e këtyre shteteve të mërkurën (19 maj) përmes një komunikate të përbashkët kanë thënë se “qeverisë së re të Kosovës iu dha një mandat i fuqishëm për reforma dhe respektim të sundimit të ligjit”.

Sipas tyre, provë kryesore e vendosmërisë së saj do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

“E inkurajojmë atë (Qeverinë) që pa vonesa të vazhdojë me procesin e regjistrimit të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Radio Evropa e Lirë, ka kontaktuar kabinetin e kryeministrit Albin Kurti për të marrë një përgjigje lidhur me ketë çështje por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pranuar përgjigje.

Gjithashtu pyetje lidhur më ketë çështje, REL-i ka dërguar edhe në Ministrinë e Kulturës të Kosovës, mirëpo zyrtarët thanë se me kohë do të përgjigjen.

Herën e fundit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu dhe kryeministri, Albin Kurti, janë shprehur për çështjen e Manastirit të Deçanit, është pasi organizata Europa Nostra e nominoi Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Në letrën që mban datën 18 mars, drejtuar krerëve të kësaj organizate, Kurti dhe Osmani, thonë se “Manastiri i Deçanit është në gjendje të mirë, me garanca të plota kushtetuese e ligjore, me siguri të plotë e pa asnjë rrezik që i kanoset – është një nga monumentet me të cilat mburren shteti dhe shoqëria e Kosovës dhe, sikurse përgjatë historisë, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë me shumë dashuri e përkushtim edhe në të ardhmen”.

“Të gjitha komunat e Kosovës, ku hyn edhe Komuna e Deçanit, janë duke i hartuar planet hapësinore dhe zhvillimore. Për informatën tuaj, Komuna e Deçanit është zotuar që brenda këtyre planeve, zonën e veçantë të Manastirit të Deçanit do ta trajtojë me prioritet të veçantë dhe seriozitet të shtuar. Ky trajtim nënkupton respektim të përpiktë të legjislacionit vendor dhe në veçanti të rregullave të mbrojtjes dhe menaxhimit të përcaktuara nga UNESCO”, thuhej në letrën e Kurtit dhe Osmanit.

Megjithatë, organizata Europa Nostra në fillim të muajit prill publikoi listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara” dhe aty ishte përfshirë edhe Manastiri i Deçanit.

Komuna e Deçanit nuk ndryshon qëndrim
Pesë vite më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga institucionet e Kosovës, konkretisht komuna e Deçanit, pavarësisht thirrjeve për një gjë të tillë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kosnett kërkon të respektohet vendimi për pronën e Manastirit të Deçanit

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i tha Radios Evropa e Lire të enjten se nuk do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe rrjedhimisht pohoi se autoritetet komunale nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për të mos pranuar regjistrimin e pronës për Manastirin e Deçanit.

“Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese që i ka përjashtuar qytetarët e Deçanit prej realizimit të interesit të tyre. Realisht ai vendim na ka pamundësuar zhvillimin ekonomik deri tash. Është një ofertë që t’u thuhet qytetarëve të Deçanit se, ju nuk keni të drejtë të jetoni në këtë shtet. Nuk është vetëm një vendim i Gjykatës Kushtetuese tash. Janë një mori kontestesh që ishte dashur të mbyllen një herë e përgjithmonë”, tha Ramosaj.

Ai theksoi se vendimi i Kushtetueses është një goditje për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit.

“Në rast se zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës duhet të marrë përsipër realizimin e shumë kërkesave të Komunës së Deçanit”, tha ai.

Edhe Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kundërshtuar përsëritjen e kërkesës së vendeve të Quint-it që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i shoqatës, Shkodran Imeraj, tha se në mënyrë anti-kushtetuese dhe anti-ligjore po mundohen që Manastirit të Deçanit t’i falet tokë.

Në pesë vjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Manastiri i Deçanit përmes një deklarate ka thënë se po përballen me obstruksione ligjore nga të dyja nivelet e institucioneve të Kosovës, atyre lokale dhe qëndrore.

“Nën ndikimin e fuqishëm të qendrave formale dhe joformale të shqiptarëve të Kosovës të cilat duket se janë të vendosura që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të zbatohet asnjëherë. Në jemi të pikëlluar që organet gjyqësore lokale nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë në lidhje me këtë dhe që institucionet janë në duart e atyre që vendosin drejtësi më vete, pavarësisht ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesit ndërkombëtar thjeshtë nuk kanë gjetur mënyrë sesi të bindin institucionet e Kosovës të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e Manastirit të Deçanit.

Thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett në janar të këtij viti pati thënë se mosbindja ndaj sundimit të ligjit, nga disa qeveri të ndryshme të Kosovës, vë në pikëpyetje angazhimin e Kosovës për drejtësi të barabartë.

Ai ka potencuar rëndësinë që liderët politikë të respektojnë institucionet dhe vendimet gjyqësore “madje edhe nëse nuk e çajnë kokën për ato vendime”.

“Ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të rasteve në të cilat institucionet e Kosovës kanë dështuar të veprojnë brenda ligjit dhe të zbatojnë vendimet e gjyqësorit”, pati shkruar Kosnett në një shkrim të publikuar në faqen e ambasadës amerikane.

“Shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit. Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës”, ka shkruan Kosnett.

Çfarë thotë ligji
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.