Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për të frenuar përhapjen e COVID-19 në Kosovë, sipas propozimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Masat do t’i prekin disa sektorë. Nga 20 gushti deri më 1 shtator do të mbyllen klubet e natës, do të reduktohet orari i gastronomisë dhe dasmat do të lejohen të mbahen vetëm deri në orën 22:30 dhe me vetëm 150 mysafirë.
Ministri Arben Vitia në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se masat për ruajtjen e shëndetit publik janë kritike për të parandaluar përhapjen më të gjerë të virusit dhe të vdekjeve nga sëmundja.
“Duke iu referuar të dhënave, duke balancuar interesin e ruajtjes së shëndetit publik e ekonomik propozojmë ndërmarrjen e masave të reja. Masat janë proporcionale me rreziqet e shkaktuara. Masat nuk përcaktojnë obligimin e vaksinimit të detyrueshëm duke qenë se kufizimet e vendosura mund të përmbushen me dëshmitë e statusit të vaksinimit, të rezultatit se personi nuk është i infektuar ose se ka antitrupa të mjaftueshëm. Nuk përjashtojmë marrjen e masave të reja varësisht nga situata epidemiologjike. Në bazë të rekomandimeve të IKSHPK, ekspertëve kërkojmë aprovimin të këtij propozimi”, ka thënë Vitia.
Kurti në fillim të mbledhjes, ka ftuar qytetarët që të vaksinohen. Ai shtoi se marrja e masave të reja është e domosdoshme që të ruhet shëndeti publik.
“Detyrë mbi detyrat për ne si qytetarë të përgjegjshëm është vaksina. Vaksina ka, mund të zgjidhet lloji i saj. Nuk kemi të vdekur nga varianti Delta që paraprakisht janë vaksinuar”, ka thënë Kurti.
Të mërkurën, Kosova ka shënuar rekord ditor të rasteve pozitive me koronavirus, me gjithsej 2110 raste dhe katër të vdekur.
Të martën, ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se nga 173 mostra të cilat janë dërguar jashtë vendit, 171 nga to kanë rezultuar pozitivë me variantin Delta.