Fjalë Kyçe

Qeveria miraton vendimin lidhur me hekurudhën Prishtinë-Durrës

Qeveria miraton vendimin lidhur me hekurudhën Prishtinë-Durrës

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime në mbledhjen elektronike që ka mbajtur të mërkurën.

Me vendimin e parë, ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Në njoftimin e Qeverisë, thuhet se me marrëveshje përcaktohen procedurat dhe ndahen kostot për të financuar studimin e fizibilitetit të projektit.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, njoftoi ZKM-ja.

Vendimi i dytë i miratuar në mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të ministres së Ekonomisë nga presidentja e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Me këtë projekt, sipas ZKM-së, sigurohet stabiliteti i furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit ‘Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit’. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.