Fjalë Kyçe

Qeveria mohon se SHBA-të do të suspendojnë mbi 200 milionë euro projekte për Kosovën

Qeveria mohon se SHBA-të do të suspendojnë mbi 200 milionë euro projekte për Kosovën

Gjatës ditës së sotme në media është raportuar se do të suspendohen rreth 200 milionë euro investime në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky vendim sipas gazetës Express ka ardhur pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po refuzon ta heqë taksën ndaj mallrave serbe. Gazeta pretendon se Sean Cairncross, drejtor i MCC, i caktuar nga Donald Trump, ka biseduar sot në telefon me Kurtin dhe i ka thënë atij se do të bllokohen 50 milionë eurot e MCC-së, ashtu sikurse do të bllokohet edhe projekti i gazit – ku ishte paraparë që të investohen rreth 150 milionë euro të tjera.

Mirëpo një gjë të tillë për lajmi.net e ka mohuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi duke e quajtur të pavërtetë.

“Kjo nuk është e vërtetë, ne nuk kemi informacion për këtë çështje, vet fakti që 200 milionë euro nuk janë pjesë e MCC-së e bën të qartë. S’kam informacion as që Kurti të ketë biseduar me dikë në këtë drejtim”, ka thënë shkurt Abazi.

Ditë më parë Richard Grenell, emisar special i presidentit amerikan, Donald Trump, demantoi Zyrën e Kryeministrit në lidhje me një bisedë që Albin Kurti e ka zhvilluar me të dhe me këshilltarin e Trumpit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Grenell tha se i kanë thënë Kurtit në telefon se SHBA-ja nuk do të vazhdojë asistencën e saj, kur lidershipi i Kosovës po e dëmton atë.

”Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, shkroi Grenell në Twitter.

Ndërkohë, Kurti ende po vazhdon të shprehet kundër heqjes së plotë të tarifës 100 për qind, pasi sipas tij Serbia nuk do e ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër, partia me të cilën janë në koalicion bashkëqeverisës LDK, po insiston që taksa të hiqet dhe Kosova të kthehet në tryezën e bisedimeve me Serbinë.