Fjalë Kyçe

Qeveria planifikon shuarjen e AKP-së vitin e ardhshëm

Qeveria planifikon shuarjen e AKP-së vitin e ardhshëm

Qeveria Kurti edhe pse këmbëngul që të pezullohet çdo vendimmarrje në Agjencinë Kosovare të Privatizim, nuk e ka në plan shuarjen e kësaj agjencie gjatë këtij viti.

E një gjë të tillë thotë se do ta bëjë vitin e ardhshëm, kur pritet që të themelohet Fondi Sovran e AKP-ja të shndërrohet në një zyrë brenda Qeverisë që do të mirëmbajë asetet që menaxhohen nga kjo agjenci.

Por, sipas avokatit Bejtush Isufi, i cili përfaqëson një numër të madh të palëve në Dhomën e Posaçme, një transformim i tillë do të duhej të bëhej pasi të përfundonin 90 për qind e punëve.

“Do të duhej që kjo të bëhej kur pothuaj 90 për qind të punëve do të ishin përfunduar, në kuptimin e likuidimit të kërkesave dhe janë shitur 90 për qind e gjitha aseteve që janë të parapara për shitje, përndryshe edhe ky transformim besoj që duhej të bëhej kur të bëhej një fotografim i gjendjes ekzistuese të objektivave dhe të arriturave të këtij rregullatorit”, ka thënë avokati Bejtush Isufi.

Në programin Qeverisë të miratuar javë më parë Qeveria thotë se do të angazhohet për krijimin e Fondit Sovran, i cili do të marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës.

E Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, e vlerëson të palogjikshëm shuarjen e Agjencisë për aq kohë sa një numër i madh i aseteve mbeten të paprivatizuara.

“Duhet të rritet dinamizmi i privatizimit, por assesi nuk e shohim të mundur mbylljen apo shuarjen e një autoriteti të tillë, jo vetëm në një të ardhme të afërt, por një trupë e tillë duhet të ekzistojë edhe në të ardhmen duke e ditur se mund të ketë kërkesa të kreditorëve për një periudhë më të gjatë”, la deklaruar Arian Zeka, drejtor i OEAK-së.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin “DESKU” ka thënë se e konsiderojnë të panevojshme ekzistimin e AKP-së për shkak të shitjes së aseteve me vlera të ulëta.

Ndërkohë në AKP nuk kanë komentuar planin e Qeverisë për shuarjen e saj.

“AKP-ja ka mandatin e saj ligjor dhe nuk është në mandatin e saj të komentojë iniciativat e Qeverisë apo Kuvendit të Republikës së Kosovë. AKP-ja në bazë të mandatit të saj ligjor është e obliguar që të veprojë dhe të bëjë përpjekje maksimale në përmbylljen dhe transformimin sa më të shpejtë të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Drejtuesit e AKP-së nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për numrin e ndërmarrjeve dhe të aseteve që janë privatizuar.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, është themeluar afro dy dekada më parë. Ky institucion është kritikuar në vazhdimësi për mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.