Fjalë Kyçe

Qeveria s’ekzekuton 200 milionë eurot për biznese, planifikon ndryshimin e Ligjit për rimëkëmbje

Qeveria s’ekzekuton 200 milionë eurot për biznese, planifikon ndryshimin e Ligjit për rimëkëmbje

200 milionë euro ndihmë për bizneset që garantohen me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nuk janë ekzekutuar ende. Me rezolutë PDK-ja po e kërkon një gjë të tillë. Por kjo nuk pritet të bëhet as pas rishikimit të buxhetit, meqë Ministria e Financave dhe Transfereve po planifikon që të bëjë plotësim/ndryshimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe dizajnimin e një pakoje të re të rimëkëmbjes.

Ndihmat prej 200 milionë eurove për bizneset që u garantohen me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike ka rreth gjashtë muaj që nuk po zbatohen.

Arsye për këtë është mospërfshirja në Ligjin për Buxhetin e vitit 2021.

Për këtë pikë dhe të tjera u premtua nga ministri Hekuran Murati sa ishte kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, që do të shikohet mundësia që të ekzekutohen pas rishikimit të buxhetit.

“Ne si komision duke e marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi jemi dakorduar njëzëri anëtarët e komisionit që të shqyrtojmë vetëm disa prej amendamenteve që kemi llogaritur që mund të jenë esenciale, në mënyrë që të kalojë buxheti. Kurse, pjesa tjetër është lënë që të bëhet në rishikim dhe të përcaktohet sipas prioriteteve që mund të jenë në rishikim”, ka thënë Murati.

Bizneset janë dorëzuar se do të mund të marrin ndihmat e premtuara edhe pas rishikimit të buxhetit.

“Diskutimet që i kemi pas me qeverinë e re, po mendoj të cilat kanë qenë më shumë shtjellim i ideve dhe planeve të ndryshme. Kemi parë që ata planifikojnë një qasje tjetër me rimëkëmbjen. Tani është edhe një problem, jemi gati në gjysmën e vitit 2021 dhe Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike e ka një afat, pra deri në fund të vitit 2021. Unë jam skeptik që të gjitha ato 200 milionë euro do të mund të futen në rishikim të buxhetit”, ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Mirëpo Partia Demokratike e Kosovës po insiston që të respektohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Madje më 16 prill të këtij viti deputetët e kësaj partie kanë dorëzuar në Kuvend edhe një rezolutë që kërkon me urgjencë ekzekutimin e mjeteve ndihmëse për bizneset.

Ndryshe nga koha kur ishte kryetar i komisionit parlamentar, tani Hekuran Murati, si ministër i Financave dhe Transfereve, paralajmëron ndihma të tjera për bizneset.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga ky institucion, pa dhënë detaje, kanë bërë me dije se do të bëhet plotësim/ndryshimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe do të dizajnohet një pako e re e rimëkëmbjes ekonomike.

“Masat e ndërmarra nga Qeveria e kaluar për rimëkëmbjen ekonomike nuk kanë pasur buxhetim dhe janë bërë pa analizë paraprake. Gjithë çka mund të ndajmë me ju tani është se do të ketë një plotësim/ndryshim të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe se Qeveria Kurti do të dizajnojë dhe publikojë pakon e rimëkëmbjes ekonomike së shpejti”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

Qeveria kur e ka prezantuar programin ka paraqitur dy prioritete: së pari vaksinimin e pastaj edhe rimëkëmbjen ekonomike.