Fjalë Kyçe

Qeveria thotë se ka blerë vaksina nga “Pfizeri”

Qeveria thotë se ka blerë vaksina nga “Pfizeri”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të premten se Qeveria e Kosovës ka përmbyllur me sukses negociatat me prodhuesin e vaksinave anti-COVID, “Pfizer”. Në mbledhjen e Qeverisë ai ka thënë se Kosova ka blerë sasi vaksinash nga ky prodhues, por duke mos përmendur ndonjë shifër.

“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’ dhe tash duke iu falënderuar kësaj ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Deri tash vendi ka pranuar rreth 170 mijë vaksina, “AstraZeneca” dhe “Pfizer”. Të gjitha nëpërmjet donacioneve nga programi COVAX dhe Bashkimi Evropian. Janë vaksinuar mbi 60 mijë qytetarë, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje paralajmëroi se vaksinimi masiv do të nisë nga 15 qershori.

Në vend aktualisht janë 2593 raste aktive, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 107 mijë e 354. Si pasojë e virusit, 2242 persona kanë humbur jetën.