Fjalë Kyçe

Qindra raste me COVID-19 në shkollat e Prishtinës

Qindra raste me COVID-19 në shkollat e Prishtinës

Mbi 700 nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Gjin Gazulli” në kryeqytet, të hënën nuk shkuan në shkollë. Me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kjo shkollë ka kaluar në skenarin C (mësimi në distancë), për shkak se në të kanë rezultuar 35 raste pozitive me COVID.

Sipas drejtorit të shkollës, Bujar Gjocaj, në mesin e të infektuarve janë 25 nxënës, nëntë profesorë dhe një punëtor teknik.

“Duke e pa trendin e ngritjeve të rasteve të të infektuarve në shkollë, kam qenë i mendimit që kish qenë mirë me shkua për një javë në pushim, pastaj me këqyr me studiuar situatën, mendoj që ka qenë i domosdoshëm pushimi, gjendja është jashtë kontrollit”, ka thënë ai.

Në skenarin C për dy javë kanë kaluar edhe shkollat “Abdyl Frashëri”, “Naim Frashëri” dhe “Zenel Hajdini”. Në mësim nga distanca mund të kalojë edhe shkolla “Xhemajl Mustafa” në të cilën po ashtu janë regjistruar disa raste.
Aktualisht, në shkollat e Prishtinës janë 301 raste pozitive. Prej tyre 240 nxënës, 45 mësimdhënës dhe 16 personel tjetër.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se gjendja me COVID në shkollat e kryeqytetit është rënduar.

“Duhet të mendohet ndoshta për masa shtesë jo vetëm për shkolla, por komplet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë mendoj se secili duhet t’i marrë përgjegjësitë të cilat i ka të përcaktuara me ligj, ne si Drejtori e Arsimit dhe Komunë ju kemi përgjigjur rekomandimeve të institucioneve dhe në momentin që marrim rekomandime të tilla do t’i zhvillojmë procedurat dhe do të mbyllim në atë moment që na jepet urdhëresa nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Ndonëse ishte paralajmëruar që nga e hëna shkollat të shkojnë në pushim njëjavor, një vendim i tillë nuk u mor nga Komiteti për menaxhimin e pandemisë për çfarë u kritikua nga SBASHK-u. Këshilli i Prindërve të Kosovës e ka kundërshtuar mbylljen e shkollave duke e quajtur të dëmshme për nxënësit.