Fjalë Kyçe

Qytetarët e kritikojnë qeverinë për masat rreth pandemisë

Qytetarët e kritikojnë qeverinë për masat rreth pandemisë

Gjatë ditës së sotme Kosova nuk shënoi asnjë rast të vdekjes nga COVID-19. Për çka përfaqësues të hotelerisë dhe gastronomisë kërkuan që të lirohen masat Anti-COVID-19 pasi edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia iu kishte premtuar se me uljen e rasteve do të ketë lirim të masave.

Mirëpo, qytetarët e Prishtinës po kërkojnë që të sigurohen vaksinat antiCOVID-19.

Shefqet Borinca nga Prishtina thotë se më mirë është të vazhdojmë me masa qe kur te kalohet virusi të mos kthehet më

“Më vjen mirë që janë zvogëluar rastet por më duket prapë herët që të lirohen masat. Është më mirë me ec me hapa të sigurt, njëherë kur të hiqen masat të hiqen përgjithmonë. Por njëherë është herët të hiqen masat, pse ka rënë numri i rasteve s’mundet edhe me u ngrit menjëherë edhe për atë”, tha ai.

Asllan Asllani thotë se fillimisht duhet sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi e më pas lirimi i masave antiCOVID-19

“Që është përmirësuar gjendja s’ka të bëjë me lirimin e masave, ka të bëjë pak edhe me përmasimin e motit. Thuhet që kur është moti me diell, infektimi, numri i te infektuarave bie. Ma merr mendja që me këtë qasje duhet me u sill me kujdes, masat ku janë të nevojshme duhet me u respektuar edhe më tutje me qenë në fuqi[…] Kundër masë do të ishte sigurimi i vaksinave, vaksinimi sa më i shpejt i gjithë atyre që dëshirojnë me u vaksinuar”, tha ai.

Se është herët që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për lirimin e masave e thotë edhe qytetari Avdi Ahmeti.

Ahmeti për KosovaPress tha se lirimi i masave mund të përballë vendin me situatën e ngjashme të vitit të kaluar, kur edhe u bë lirimi i masave për parandalimin e përhapjes së virusit korona.

“Duke marrë parasysh që vërtet janë zvogëluar rastet qoftë të infeksionit qoftë të rasteve të vdekjeve tani për tani është herët të flitet për lirimin e masave antiCOVID-19 sepse është rreziku i përhapjes së valës më të rrezikshme[…]Prandaj, më mirë është me e mbajt këtë gjendje, do të thotë gradualisht kohë pas kohe me i liruar por jo totalisht siç u bë vitin e kaluar, dhe u paraqitën rastet drastike edhe të infeksionit edhe të vdekjes “, tha ai.