Fjalë Kyçe

Qytetarët janë të painformuar për programet e partive

Qytetarët janë të painformuar për programet e partive

Disa nga partitë politike në vend kanë publikuar programet e tyre. Por qytetarët nuk i kanë lexuar ato edhe pse janë shprehur të gatshëm të votojnë subjekte të caktuara politike. Për njohësit e çështjeve politike, programet politike janë vështirë të kuptueshme nga qytetarët.

Qytetarët edhe pse të gatshëm të votojnë, nuk i kanë shikuar programet e partive politike.

Gëzim Jupa tha se akoma nuk ka hasur në ato programe.

“Jo nuk kam hasur në programet e partive politike. Nëse hasi në to do t’i shikoj”, deklaroi Jupa në Rtv Dukagjini.

Ka të atillë që nuk ndihen të kënaqur me partitë politike e as me programet e tyre.

“Mundohem të shikoj ndonjë program të partive. Jo të gjithë por ndonjë e shikoj. Nuk i kanë bash si duhet e me lidhje”, thotë qytetari tjetër Rrahman Rrahmani.

E Muhamet Shalës nuk i pëlqen që partitë po bëjnë fushata në hapësira jo adekuate.

“Me thënë të drejtën nuk i kam shikuar, por po mendoj që nuk janë votime të lira por janë “euro-votime”. Partitë politike veç kanë filluar nëpër qoshe të ndryshme, lokale “merri 20 euro jepma votën”, “qe 20 litra naftë me i lëvrua arat, jepmi 5 vota”, etj.”, shprehet një tjetër qytetar.

Analisti i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, tha se është e nevojshme nga qytetarët të shikohen këto programe por gjithashtu ai i krahasoi ato programe  me brende, përcjell telegrafi.

“Sigurisht programet politike janë ato dokumente që përmbajnë alternativat dhe zgjidhjet që qytetarët japin për probleme të ndryshme, mirëpo në Kosovë madje edhe në demokracitë më funksionale të botës, programet kalojnë pa u lexuar shumë nga qytetarët sepse ato përpilohen nga njerëz me ekspertizë të caktuar e shumica e njerëzve nuk janë ekspertë në lëmit përkatëse”, deklaroi analisti Shkodran Ramadani.

Fushata zgjedhore hapet zyrtarisht ditën e mërkurë.