Fjalë Kyçe

Qytetarët në Matiçan ankohen se s’kanë ujë që 3 ditë

Qytetarët në Matiçan ankohen se s’kanë ujë që 3 ditë

Qytetarët e lagjes Matiçan po ankohen se që 3 ditë nuk kanë ujë. Një banor ka thirrur në redaksinë e Koha.net dhe është ankuar se vetëm dje rreth 1 orë kanë pasur ujë, e më pas kanë vazhduar reduktimet.

Koha.net ka kontaktuar Arjeta Mjekun, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, e cila ka thënë se atje po keqpërdoret uji në mënyrë të panevojshme.

“KRU,,Prishtina,, sh.a. me të gjitha kapacitetet trajtuese maksimale në të tre fabrikat e trajtimit të ujit dhe me të gjitha mundësitë teknike të sistemit është duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit te të gjithë konsumatorët, pa dallim. Sa i përket lagjes në fjalë, nuk është asgjë tjetër pos keqpërdorimit të ujit që po bëhet në mënyrë ekstreme e sidomos duke filluar nga dita e djeshme”, tha Mjeku.

Mjeku shton se nuk ka ujë që të keqpërdoret nga qytetarët.

“Ujë ka aq sa janë nevojat shtëpiake dhe normalisht higjienike. Lusim konsumatorët ta shpenzojnë racionalisht, sepse atëherë do të kemi mjaft ujë të pijshëm. Por asnjëherë për ta keqpërdorë ashtu si po ndodhë në këtë periudhë. Pra, arsyeja e vetme pse ka mungesë uji në pika të larta është keqpërdorimi enorm i ujit. Ta kursejmë, që uji të shpërndahet në mënyre të barabartë”, tha tutje Mjeku.