Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë intervistës për emisionin ‘Përballje ditore’ në Telegrafi.com, deklaroi se nëse Kosova nuk është unike për tema të mëdha atëherë mund të humb momenti dhe mund të ketë zhvendosje të prioriteteve në raport me Ballkanin, nga Evropa dhe Amerika.
Hoxhaj tha se Kosova për momentin në Ballkan është temë e rëndësishme.
“Shqetësimi im është që mund të ketë zhvendosje të prioriteteve në raport me Ballkanin, sepse ne jemi temë e rëndësishme në Ballkan. Shembulli konkret është liberalizimi i vizave. Ai ka qenë në 2016 teme teknike dhe në vitin 2018 u shndërrua në temë politike. Arritjet e vonuara në një shtet apo shoqëri, nuk janë më arritje”, ka thënë ai.
Sa i përket qëndrimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksën ndaj mallrave serbe e boshnjake, ai tha: “Qëndrimi jonë si PDK është edhe qëndrim i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne duhet ta pezullojmë taksën me disa kushte. Duhet ta pezullojmë taksën për 120 ditë, pas atyre ditëve nëse nuk ka marrëveshje atëherë taksa kthehet në fuqi. Sa i takon Serbisë, ajo është në një kulturë politike që është kthim mbrapa”.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli edhe për zgjedhjet në vend, ku tha se nuk mendon që ndonjë parti politike ka interes për zgjedhje në vend.
Sipas tij, zgjedhjet e përgjithshme nuk përbëjnë ndonjë situatë të re në vend.
“Mandej kurdo që mbahen zgjedhjet, partitë që do ta fitojnë pushtetin do ta kenë përgjegjësinë për ta zbatuar marrëveshjen. Gjuha e opozitës është më shumë për fuqizimin e elektoratit të tyre. Mendoj që do ta gjejmë një zgjidhje. Problemi është i raportit të investuar për ta mbyll një temë, kemi investuar aq shumë kohë…”, potencoi ai.
Hoxhaj tha se zgjedhjet e BE-së mund të krijojnë një situatë pozitive për Kosovën, siç është edhe liberalizimi i vizave.
“Por kjo nuk do të thotë që do të udhëtojmë pa viza në vitin 2019”, theksoi Hoxhaj.
“Dialogu mund të mbyllet suksesshëm, nëse ka kohezion të brendshëm, edhe nëse fuqitë e mëdha G7 janë në përkrahje të Kosovës…sepse Rusia mund ta ketë lojën e vet. Na duhet unitet i brendshëm dhe perëndimor për çështjen e dialogut, dhe mbështetje globale amerikane”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.