Fjalë Kyçe

Qytetari nga Peja që ka dhuruar gjak mbi 80 herë

Qytetari nga Peja që ka dhuruar gjak mbi 80 herë

Në Spitalin e Pejës viteve të fundit është shtuar numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut, por nevojat për gjak mbeten të larta.

Ali Nela nga Peja në jetën e tij ka dhuruar më shumë se 80 herë gjak.

Mëngjesi fillon me leximin e portaleve për të parë se çfarë ka të re në qytetin e tij, po mos ka nevojë dikush për gjak.

Pavarësisht se për fat të mirë kësaj radhe nuk pa ndonjë kërkesë urgjente për dhurimin e gjakut, ai niset drejt spitalit të Pejës për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare.

Dhurimin e gjakut Aliu e ka filluar qysh në moshën 18-vjeçare.

“Që nga koha kur kamë filluar shërbimin ushtarak kamë dhënë vazhdimisht gjak. Në atë kohë më thoshin se dhurimi i gjakut e pastron atë”, tregon Ali Nela për RTV Dukagjinin.

Ai edhe sot e kësaj dite është i gatshëm për dhurimin e gjakut për këdo që ka nevojë.

“Unë e lë numrin e telefonit dhe jam i gatshëm të dhurojë gjak për këdo që ka nevojë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nela inkurajon edhe të tjerët nëse kanë mundësi të dhurojnë gjak.

Edhe drejtoresha e Transfuzionit në Spitalin e Pejës thotë se ka një vetëdijesim të qytetarëve për të dhuruar gjak.

“Mund të them se viteve të fundit ka një interesim të shtuar të qytetarëve për të dhuruar gjak. Mirëpo mund të them se gjithë ai dhurim i madh i gjakut nuk po na mjafton për të mbuluar nevojat e reparteve për gjak. Ka shumë patologji, aksidente vrasje dhe sasia e dhuruar nuk po mjafton“, deklaroi Rrezarta Dreshaj-Berisha.