Fjalë Kyçe

Rama: “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet

Rama: “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk do të ndalet, pasi sipas tij, nuk ndalet dot as e ardhmja.

Ai shkroi në Twitter të mërkurën, se kushdo që është kundër kësaj nisme, është në drejtën e vet që as të mos shohë, dëgjojë apo të kuptojë se “kjo nismë nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit”.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkroi Rama.

Themeluese të kësaj nisme janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa është kundërshtuar nga tri vendet tjera tw Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka përsëritur të martën qëndrimin e tij kundërshtues për këtë nismë.

Gjukanoviq, pas takimit që pati të martën me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Malit të Zi dhe shteteve të rajonit u duhet anëtarësimi në Bashkimin Evropian e jo alternativat, siç e quajti ai “Ballkanin e Hapur”.

Ai foli edhe për qëndrimin e kryeministrit Dritan Abazoviq, cili ka qëndrim më të butë për “Ballkanin e Hapur”.