Fjalë Kyçe

Rama fton Malin e Zi që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

Rama fton Malin e Zi që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

Nga sot Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë një pikë të re kufitare në Grabom të Malësisë së Madhe, por për kryeministrin Edi Rama ndërtimi i infrastrukturës është hap i pamjaftueshëm nëse mes dy vendeve nuk hiqen burokracitë dhe barrierat tarifore.

“Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë të re. Mjafton të angazhohemi dhe ta bëjmë këtë hapësirë mes dy vendeve, hapësirën në të gjithë rajonin, një hapësirë ku sundojnë katër liritë e BE; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave, e lëvizjes së kapitaleve, e lëvizjes së shërbimeve”, tha Rama.

Mali i Zi nuk është pjesë e nismës Ballkani i Hapur, por si një ndër iniciatorët e këtij projekti, kryeministri Rama kërkon që edhe ky shtet të bëhet pjesë. Për shkak të Serbisë nisma që synon lehtësimin e lëvizjes së njerëzve në rajon refuzohet nga Kosova, por Rama këmbëngul që ajo të lërë mënjanë paragjykimet.

“Ky është edhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë, në kuadër të procesit të Berlinit, së bashku me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që është një nismë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese që është një nisëm që synon pikërisht këtë; në të gjitha vendet e rajonit tonë, pra përfshirë edhe Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën, njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet siç ndihen sipërmarrësit evropianë kur lëvizin brenda BE. E nëse sot për të hyrë në BE të gjithëve ju duhet të presin, nuk ka pse të presin për të hyrë nga një vend i yni në një vend tjetër”, është shprehur Rama.

Kosova është një ndër kundërshtarët më të ashpër të nismës Ballkani i Hapur duke bojkotuar takimet e mbajtura deri më tani në kuadër të këtij projekti./tch