Fjalë Kyçe

Rama: Kosova gjendet përpara një sfide historike

Rama: Kosova gjendet përpara një sfide historike

Në fjalën e tij gjatë punimeve të sesionit qendror të Samitit të Dytë të Diasporës, të zhvilluar nga kryeministri Rama dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, kryeministri i Shqipërisë e nisi me krahasimin dhe zhvillimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në harkun kohor mes samitit të parë dhe këtij të tanishmit.

“Jo vetëm që shqiptarët në Shqipëri janë më mirë sot, se ç’ishin në kohën e samitit të parë, por ajo që konsiderohej si e pamundur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sot është realitet. Brenda këtij harku kohor, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut flitet shqip. Ne jemi të interesuar që ai shtet të ekzistojë, të përparojë drejt integrimeve euroatlantike dhe shqiptarët atje të jenë më mirë sot dhe në të ardhmen, sesa ç’kanë qenë dje. Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut, e aq më pak Maqedoni të Veriut në NATO apo BE”, deklaroi Rama.

Rama ftoi më tej shqiptarët në Tuz të Malit të Zi, të bashkohen dhe të lënë mënjanë armiqësitë e kota dhe të panevojshme me njëri-tjetrin, për të fituar dhe për të qeverisur në komunën e parë me shqiptarë në fqinjin tone, shkruan TCh.

“Bashkohuni dhe mos lejoni më të mposhteni sërish për shkak të armiqësive të kota”, tha Rama.

Kryeministri përmendi më pas sfidën historike përballë së cilës është Kosova, teksa përmendi edhe atë që e quajti “armikun” më të madh të shqiptarëve.

“Sfidë që do të vendoset sot, por që përcakton sesi do të jenë pas 30 vitesh ata që sot nuk kanë lindur ende. S’ka pasur asgjë më të rrezikshme dhe më penguese për shqiptarët, sesa kur përballë tyre kanë dalë shqiptarët, për hesape të vogla të mjedisit politik, duke e kthyer flamurin në një ‘armë’ për të luftuar kundër njëri-tjetrit për të gjetur tradhtarin dhe patriotin, të mirin dhe të keqin, djallin nga shenjtori”, deklaroi Rama.