Fjalë Kyçe

Rama për testimin e unazës: Kemi bërë identifikimin e fyteve të ngushta

Rama për testimin e unazës: Kemi bërë identifikimin e fyteve të ngushta

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar edhe një herë për testimin e unazës së brendshme në kryeqytet, duke thënë se testimi në ditë pune i ka mundësuar atyre të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.

Rama ka thënë se kanë pranuar edhe mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare “për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.

“Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kreu i Prishtinë ka pasur mesazh edhe për qytetarët e shumtë që u frustruan nga testimi i ditës së sotme.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës bashkëndjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot”, ka shkruar ai.

Rama pati falënderim edhe për Policinë e Kosovës dhe Task Forcën e krijuar për këtë qëllim.

Ai ka këmbënguluar se testime të tilla po bëhen për qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të cilët punojnë e vizitojnë kryeqytetin.

Kjo ishte hera e treta që u bë testimi i unazës njëkahore, por hera e parë që bëhet në dite punë. Testimi do të vazhdojë edhe të shtunën e të dielën.