Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Malin e Zi, për Samitin BE–Ballkani Perëndimor që mbahet në Tivat, ndërsa interesi i gazetarëve për ta pyetur në lidhje me Zvërnecin dhe protestat që po mbahen në Shqipëri ka qenë i lartë. I pyetur për këtë çështje ai bëri një prononcim të shkurtër para mediave teksa nënvizoi se nuk ka ende një projekt për t’u miratuar dhe si rrjedhojë, as arsye për t’u shqetësuar.
“S’ka asgjë për të diskutuar sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë”, tha Rama.
Sa i përket protestave për Zvërnecin, kreu i qeverisë deklaroi se nuk bëhet fjalë për një çështje mjedisore, por për një “luftë hibride”, raporton euronews.al.
Sipas tij, pas protestës qëndrojnë elementë iranianë, të cilët, siç u shpreh ai, kanë qenë të përfshirë edhe herë të tjera në sulme të ngjashme.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është luftë hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme”, shtoi ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet mbi projektin në Zvërnec, duke deklaruar se ai nuk është ai për të cilin është folur publikisht dhe se qytetarëve u janë shfaqur video të rreme të prodhuara në Tiranë.
“Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana”, tha Rama.