Fjalë Kyçe

Rama: Si kam bërë presion Haradinajt për ta hequr taksën

Rama: Si kam bërë presion Haradinajt për ta hequr taksën

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën dhe Gjermaninë janë pozitive.

Madje, Rama shtoi faktin se Gjermania do të mbështesë hapjen e negociatave të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE.

Kreu i Qeverisë shqiptare po ashtu ka akuzuar mediat në Tiranë dhe Prishtinë, siç thotë ai, për keqinformim gjatë Samitit të Berlinit.

“Nuk kisha parë kurrë më parë dezinformim, keqinformim më të madh mediatik dhe politik, sesa tërësia e marrëzirave dhe ligësive që u shoqëruan dhe pasuan në pasqyrat e medieve në Tiranë dhe Prishtinë. Samiti nuk kishte asnjë lidhje me negociatat. Gramafonat që lajmëruan kobin e zi të mbylljes së negociatave, pa mbaruar ne as kafet e mirëseardhjes, ishin një shprehje ekstreme e dëshpërimit të atyre që duan të marrin me vete vendi në rrugën e theqafjes politik që e kanë zgjedhur vetë. Nuk shkova në takim për vendimin në zyrën e kancelares, se ajo nuk e thotë kurrë fjalën e fundit të parën, pa dalë raporti”, u shpreh Kryeministri.

Rama mbrëmë ka reaguar edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit tha se i bën presion për heqjen e taksës.

Rama ka thënë se Haradinaj nuk e ka kuptuar ende një normë elementare të mirëkuptimit njerëzor, që sipas tij është edhe rregull udhëheqësish, që kur flasin diçka në mes vete, nuk i komentojnë ato në publik.

Siç ka thënë Rama, kështu “duke gënjyer për të dalë ‘burra të mirë’ para popullit të tyre”.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka thënë se askush s’i ka kërkuar Haradinajt në Berlin që ta heqë taksën.

Rama tutje shkruan se vetëm e ka sugjeruar Haradinajn, që ta pranojë kërkesën e kancelares Merkel dhe presidentit Macron që taksa të pezullohet për 6 apo 4 muaj, që dialogu të vazhdojë.