Milot Rashica ndihet i lumtur me formën që po e shfaq në këtë fillim sezoni në Superligën turke.
Ylli kosovar e ndihmoi Besiktasin në fitoren 4:2 ndaj Antalyasporit në fundjavën që shkoi.
Vushtrriasi i dhuroi dy asistime, fillimisht për Immobilen e më pas për Silvan, ndërsa sulmuesi italian e shënoi edhe një gol tjetër, kurse të katërtin dhe të fundit e realizoi futbollisti shqiptar Ernest Muçi.
Besiktasi prin në tabelë me 6 pikë duke i fituar të dyja ndeshjet e para sezonale, shkruan “Gazeta Express”.
Dhe, kjo s’ka se si të mos e bëjë të ndihet mirë 28 vjeçarin, i cili e bëri një postim në rrjetet sociale.
“2 fitore nga 2 ndeshje. Të vazhdojmë kështu përpara”, shkroi përfaqësuesi kosovar.
Në ndeshjen e parë sezonale, Besiktasi e kishte mposhtur Samsunsporin në udhëtim me rezultat 2:0.
Ekipi nga Stambolli synon ta fitojë titullin e kampionit në Turqi, teksa rivalë kryesorë edhe në këtë sezon do t’i ketë dy gjigantët tjerë turq, kampionin aktual Galatasaray, ku kishte luajtur Miloti për një vit në formë huazimi, dhe Fenerbahçen.