Drejtori i Grupit për Ballkan, Naim Rashiti, ka thënë se aktualisht dialogu duhet të vendoset në binarë stabilë dhe të qëndrueshëm.
“Më 1 dhe 2 korrik dialogu duhet të vendoset në binarë dhe kjo do të jetë përpjekja e fundit për ta bërë. Por, dialogu vitin e kaluar është dashur që të jetë dinamik dhe më i shpejtë që të jepte rezultate konkrete”
Rashiti në Klan Kosova tha se presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka probleme të shumta në Serbi dhe kjo po ndikon në shtyrjen e çështjes së Kosovës.
“Vuçiq ka problem me mungesën e guximit për ta shtyrë procesin e Kosovës përpara. Ai ka problem me popullatën që s’po gjen përkrahje, ka problem me Kishën, me Moskën që ende nuk I ka dhënë sinjal që ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe po e mban peng”.
“Këto dilema që i ka presidenti i Serbisë e pengon atë të sjellë çështjen në tavolinë”.
Rashiti ka komentuar paraqitjen e delegacionit kosovar në takimet me ndërkombëtarët duke thënë se ata po shkojnë të shkapërderdhë atje.
“Paraqitja dhe skena politike është bërë e parëndësishme sepse është shkapërderdhur. Ata nuk mund të prezantohen ndryshe në Berlin, por njëjtë siç bëjnë në Kosovë. Do të shohim zhvillime të ngjashme prej samitit në samit dhe konferencës në konferencë. Dialogu është proces i kontaminuar politik dhe do të marrë kohë për të ndryshuar”.
“Samiti në Berlin ishte për të ndihmuar dialogun. Franca dhe Gjermania asnjëherë nuk do të anashkalojnë Përfaqësuesen e Lartë. E gjithë përpjekja ka qenë që të ketë koordinim të ngushtë me SHBA-në”.
“Nuk mund te gjendet zgjidhje pa kombinimin e së paku Gjermanisë, Francës dhe SHBA-së. Parisi është përpjekur për ta vendosur procesin në një binar të sigurt të dialogut dhe për këtë po SHBA po e mbështet vazhdimisht”.
“Kosova dhe Serbia nuk kanë guxim për ta përmbyllur marrëveshjen dhe kjo mbetet pikërisht te palët që të tregojnë gatishmëri dhe seriozitet”.
“Më shumë po flitet për zgjidhjet përfundimtare pa pasë proces fare. Nëse do ta kishim pasë atë do të shohim se ku po shkon kjo marrëveshje. Nëse s’kemi proces atëherë flasim për korrigjim kufijsh, ndarje autonomish”.
“Presidentit i është kërkuar legjitimitet demokratik dhe para se të flasë për opsione është dashur të ketë fuqi politike për këtë proces që s’ka arritur ta sigurojë”.
“Shoqërisë, politikës dhe shumë të tjerëve duket se po iu pëlqen kjo status quo, por kjo do të sjellë shumë vështirësi”.