Fjalë Kyçe

Rasti i Agonis Tetajt cilësohet vrasje e rëndë, prokurori i kaluar e kishte ndryshur pa të drejtë

Rasti i Agonis Tetajt cilësohet vrasje e rëndë, prokurori i kaluar e kishte ndryshur pa të drejtë

Prokurori Isuf Sadiku e ka cilësuar rastin e Agonis Tetajt si vrasje e rëndë, në seancën e sotme gjyqësore.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava. “Vrasja e Agonis Tetajt ka qenë vrasje e rëndë, por ishte ndryshuar nga prokurori i kaluar, tash në seancën që është mbajtur sot është cilësuar vrasje e rëndë”, konfirmoi ai.

Ndërkaq, javë më parë u publikua video ku shihej vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan në kompaninë “Gogaj Ag”.

Për vrasjen e Agonis Tetajt është duke u akuzuar Shaban Gogaj, ndërkaq Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Por më pas lënda i është kaluar Prokurorisë së Gjilanit. Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykatë, ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si “vrasje nga pakujdesia”.

Pas kësaj, babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Pas kësaj letre dhe pas pamjeve të publikuar prokurori Agron Uka është përjashtuar nga rasti dhe çështja i ka kaluar një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit. Gjykata e Pejës kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor.