Fjalë Kyçe

Reagon ashpër LDK: RTK-ja e njëanshme dhe mjet propagande i Veselit

Reagon ashpër LDK: RTK-ja e njëanshme dhe mjet propagande i Veselit

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media kanë thënë se transmetuesi publik RTK që nga fillimi i fushatës është shëndrruar në një mjet propagandistik i PDK-së.

Në këtë reagim të LDK-së, shkruhet se edhe pse RTK paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës, po e luan rolin e mjetit propagandues të PDK-së si dhe përdor asetet publike në shërbim të kësaj partie politike.

“Portali rtklive.com, sikur edhe në të kaluarën, më shumë i ngjanë një faqeje të PDK-së, sesa një transmetuesi publik që paguhet me paratë e qytetarëve. Në portalin e RTK-së, publikohen lajme të rrejshme që përkrahin fushatën e PDK-së dhe denigrojnë partitë tjera, kryesisht ato të opozitës së kaluar”, shkruhet në këtë reagim.

Tutje, thuhet se brenda RTK-së, është krijuar një ekip me eksponentë të njohur për njëanshmëri politike që po shkelin rregullat elementare të raportimit të paanshëm dhe profesional.

“Brenda RTK-së është krijuar një ekip me eksponentë të njohur për njëanshmëri politike, të cilët po shkelin rregullat elementare të raportimit të paanshëm dhe profesional. Ky ekip, por edhe të tjerë që angazhohen sipas porosive të politike, kujdesen që oponentëve të PDK-së të mos ua transmetojnë kritikat e akuzat ndaj PDK-së, kurse të transmetojnë akuzat e PDK-së ndaj oponentëve të saj politikë. Kjo, jo vetëm se përbën shkelje të obligimit ligjor të RTK-së, por është rast eklatant i aplikimit të  censurës. Për të shkuar më tej, në shërbimin ndaj PDK-së, RTK-ja, e shndërruar në zyrë propaganduese të PDK-së, përmes kronikave gjoja hulumtuese, në edicionet e saj të lajmeve, po mundohet ta paraqes kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, si të vetmin lider politik të Kosovës që, sipas tyre, po angazhohet për luftimin e krimit dhe korrupsionit”, shkruhet tutje.

Për këtë po e quajnë fajtore PDK-në, që e kanë shndërruar RTK-në në mjet të propagandës së saj.

“PDK-ja, si duket ka harruar se qytetarët e Kosovës nuk e kanë vetëm RTK-në burim informimi. Qytetarët e Kosovës, tashmë mund të informohen edhe përmes mjeteve tjera të komunikimit masiv, përfshirë edhe rrjetet sociale, të cilat po shpërfaqin realitetin dhe rrugën për ndryshimin e domosdoshëm të tij. PDK-ja, sikurse çdo institucioni tjetër vital të Kosovës, po i shkakton dëm RTK-së, shikueshmëria e të cilës ka rënë dukshëm, pikërisht për shkak të anshmërisë së saj të skajshme ndër vite. Lidhja Demokratike e Kosovës iu bën thirrje vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të rregullave zgjedhore nga transmetuesi publik që paguhet me taksat e qytetarëve”, thuhet në këtë reagim.