Kompania turistike “Besa Trans” ka reaguar pas disa pamjeve të publikuara nga mediat turke, para një hoteli në Turqi, ku thuhet se personat në video janë turistët të cilët ishin në autobusin që u aksidentua na Bullgari.
Në reagimin e kompanisë thuhet se autobusi që është aksidentuar nuk është në videot e publikuara nga mediat turke.
“Nuk kemi fjalë dhe as që kemi besuar që edhe në këto raste, bazë e mediave do të jetë dezinformimi, si shkak i shpërndarjes së disa videove nga një hotel në të cilin kanë qëndruar një pjesë e udhëtarëve tanë, autobusët të cilët shfaqen në ato video asnjëri nuk ka qenë ata në të cilët janë gjendur viktimat e aksidentit tragjik. I lusim të gjitha mediat që njëherit ti vërtetojnë lajmet dhe më pastaj ti shpërndajnë ato, e jo të përfitojnë nga rasti tragjik, njejtë edhe ne duke mos pasur informacione zyrtare, nuk kemi marrë asnjë hap për njoftim të opinionit, në mënyrë që sa më shumë ti largohemi dezinformatave”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Ndryshe, 45 persona kanë mbetur të vdekur në orët e para të mëngjesit të së martës, dhe 7 të tjerë të lënduar, si pasojë e shpërthimit të autobusit me të cilin po ktheheshin nga Turqia në Maqedoninë e Veriut.