SPERTK janë shprehur se ky vendim është i papranueshëm dhe e shndërron mediumin publik në atë shtetëror.
Ky është reagimi i plotë i SPERTK:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së njofton të gjithë kolegët e RTK-së se vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta përfshirë RTK-në në Ligjin për pagat është i papranueshëm dhe e shndërron mediumin publik në atë shtetëror.
Për ta parandaluar këtë veprim, SPERTK ka organizuar protesta dhe së fundmi ka iniciuar peticion për ta larguar RTK-në nga ky ligj.
SPERTK ka organizuar protesta për t’i bërë me dije kujtdo qoftë se nuk mund të luajë me punëtorët e RTK-së as me pagat e tyre. Veprimet tona të fundit dëshmojnë mbrojtjen e kolegëve tanë dhe të mediumit publik përmes protestave, forma këto të lejuara me ligj.
SPERTK edhe njëherë e cilëson vendimin e 2 shkurtit skandaloz dhe nuk do të ndalet asnjëherë deri të arrijë qëllimet e veta.
Siç e dini, RTK ka ligjin e vet dhe Kuvendi i Kosovës nuk pasur të drejtë të përfshijë RTK-në në asnjë formë në Ligjin për pagat. SPERTK është kundër uljes së çdo koeficienti në RTK dhe nuk do të lejojë që kjo të ndodhë. Ne nuk do të bëhemi spektatorë ndaj asnjë veprimi apo dezinformate nga kushdo që të jetë ai.
SPERTK ka filluar kontaktet me grupet parlamentare, Zyrën e BE-së, disa ambasada të huaja në Kosovë nga viti 2018, për miratimin e Ligjit të RTK-së dhe nuk do të ndalet derisa Ligji i RTK-së të miratohet.
SPERTK mendon se ligji i ri i RTK-së duhet të kalojë sa më shpejt ashtu siç është tani, pa asnjë ndërhyrje, për çka jemi angazhuar maksimalisht dhe për çka jemi në kontakt të vazhdueshëm me deputetë.
Ligji i ri i zgjidh të gjitha problemet e RTK-së dhe po ashtu siguron financim të pavarur të RTK-së.
SPERTK e falënderon Shoqatën Sindikale të Radio Kosovës për mbështetje në protesta dhe mbrojtjen e kolegëve tanë.
SPERTK rinjofton të gjithë kolegët se pas miratimit të ligjit të ri të RTK-së do të fillojë me kërkesën e saj të para disa viteve dhe kohës së fundit për rritjen e koeficientit bazë.
SPERTK ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në mbrojtje të kolegëve tanë dhe ju bëjmë me dije se përmes veprimeve tona të fundit nuk do të lejojmë që askujt t’i ulet paga dhe nuk do të lejojmë individë të caktuar që ta dëmtojnë RTK-në